Bota

Bangladesh, protestuesit hyjnë në rezidencën e kryeministres. Pas dhunës e kaosit dorëhiqet

Gazeta Si- Tensioni është ende shumë i lartë në Bangladesh: mijëra protestues sulmuan pallatin e kryeministres në kryeqytetin Dhaka pak minuta pasi Sheikh Hasina u largua nga rezidenca së bashku me motrën e saj “për një vend të sigurt”.

Channel 24 i vendit aziatik, transmetoi imazhe të turmës që nxitonte të hynte në rezidencën zyrtare, teksa festonte.

Më pas kryeministrja dha dorëheqjen dhe shefi i ushtrisë njoftoi se do të formonte një qeveri të përkohshme. Përplasjet kanë vazhduar prej ditësh në vend mes demonstruesve që sfidojnë qeverinë dhe policinë.

Në dhunën që pasoi njëra-tjetrën në kryeqytet dhe në shumë qytete të tjera të vendit, mbetën të vrarë të paktën 300 persona dhe shumë të tjerë u plagosën. Demonstruesit dolën në rrugë për të protestuar kundër kryeministres dhe ekzekutivit të saj.

Kreu i ushtrisë së Bangladeshit, gjenerali Ëaker-Uz-Zaman, njoftoi, në një fjalim para kombit të transmetuar nga TV shtetëror, se ai do të formojë një qeveri të përkohshme pas dorëheqjes së kryeministres Sheikh Hasina.

Sipas burimeve pranë liderit, Hasina është larguar pa pasur “kohë për t’u përgatitur”, fillimisht me autokolonë dhe më pas është “evakuuar me helikopter”.

Partia në pushtet Aëami League tha se kërkesa për dorëheqjen e Hasinas tregon se protestat janë marrë në kontroll nga partia kryesore opozitare e Bangladeshit, Partia Nacionaliste, dhe partia e ndaluar, Jamaat-e-Islami.

Protestat filluan muajin e kaluar kur studentët kërkuan të hiqet një kuotë, sipas të cilës, 30 për qind të punëve qeveritare u takonin familjeve të veteranëve që luftuan në luftën e Bangladeshit për pavarësi kundër Pakistanit më 1971.

Pas përshkallëzimit të dhunës, Gjykata Supreme e vendit e uli kuotën në vetëm 5 për qind, por protestat kanë vazhduar duke kërkuar llogaridhënie për dhunën, për të cilën demonstruesit e fajësojnë Qeverinë, duke e akuzuar për përdorimin e forcës së tepruar.

Protestat janë bërë sfidë e madhe për Hasinan, e cila është lidere e Bangladeshit për 15 vjet. Në janar, ajo e fitoi mandatin e katër radhazi në zgjedhje që u bojkotuan nga kundërshtarët e saj kryesorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë