Nga Gazeta Si- Olimpiada është aktiviteti më i madh dhe gjithëpërfshirës i sporteve në botë, ku marrin pjesë thuajse të gjitha disiplinat. Ka dhe sporte të cilat janë shtuar apo edhe janë larguar me kalimin e viteve, për arsye nga më të ndryshme.
Një aktivitet madhor i këtij kalibri, që fillesat i ka që nga antikiteti në Greqinë e lashtë, për të rilindur dhe modernizuar më 1896, po në Greqi, me Lojërat e para moderne Olimpike, për të mbërritur në Lojërat Olimpike "Paris 2024", që vazhdojnë të mbeten një vitrinë madhore e një standardi shumë të lartë sportiv.
Shqipëria mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike në vitin 1972 dhe që në atë pjesëmarrje të parë arritëm të merrnim medaljen e parë dhe të vetme olimpike, në peshëngritje, sportin tonë të traditës, me Ymer Pampurin. Një medalje e artë që ka mbetur si një shenjë historike e pjesëmarrjes shqiptare në Olimpiada, pasi askush më vonë, nga të gjithë sportistët pjesëmarrës, në disiplina të ndryshme nuk ka mundur të fitojë një medalje.
Nga viti 1972, për 20 vite me radhë Shqipëria nuk mori më pjesë në Lojërat Olimpike, e diktuar kjo kryesisht për arsye politike, për t'u rikthyer në vitin 1992, me 7 atletë, por që sigurisht nuk patën asnjë rezultat për medalje.
Ajo që bie në sy në 10 pjesëmarrjet tona nëpër Olimpiada, për herë të parë në "Paris 2024", kuqezinjtë olimpistë nuk kanë asnjë përfaqësues të peshëngritjes, sportin tonë “flamurtar" të arritjeve të mëdha në shumësportësh, i cili ka filluar dhe ka mbetur i vetmi me atë “medalje” ikonike të Pampurit. Një sport që ka furnizuar edhe Greqinë me shumë kampion, të cilët më pas u bënë kampionë olimpikë dhe Botërorë, si Pirro Dhima dhe Luan Shabani.
Asnjëri nga peshëngritësit tani më të mirë të momentit, por në perëndim, Briken Calja dhe Erkand Qerimaj nuk arritën të siguronin një rezultat që të mund t’i kualifikonte për të marrë pjesë të paktën në këtë Olimpiadë, që me gjasë mund të jetë e fundit për historinë e sportit të peshëngrtijes, pasi që nga Olimpiada e ardhshme në Los Anxheles të Shteteve të Bashkuara nuk do të jetë më si sport olimpik, të paktën deri në këto ditë, kur vendimi për ta larguar është marrë edhe pse drejtuesit e Federatës Botërore shpresojnë në një “amnisti”.
Të krijuara si një sport për amatorët në vitet 1890, nga i famshmi dhe themeluesi i Kartës Olimpike, Pierre de Coubertain, pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ishte një aktivitet që i kushtohej amatorëve, jo sportistëve profesionistë. Në kohën kur e gjithë bota ka avancuar, në sajë të sponsorizimeve dhe garave që janë bërë gjithmonë e më të luftuara dhe kanë arritur rezultate të kufirit njerëzor, kuqezinjtë shqiptarë të shumësportshave me sa duket kanë mbetur ende në moton e themelimit të këtyre lojërave: “Rëndësi ka pjesëmarrja…”
Këtë herë pa peshëngritjen, jemi në Francë me 3 sportistë të huaj të konvertuar si shqiptarë, të kalibrit të lartë si mundësit çeçenë, Abakarov, Dudaev, apo rusi Valiev, me vetëm atleten e njohur Luiza Gegën, e kualifikuar në atletikë dhe pjesa tjetër më pas me ftesa. Nga atleti Franko Burraj, te notarët Greis Koxhaku dhe Kaltra Meça, që thjeshtë garuan në disiplinat e tyre dhe qitësja Manjola Konini, që i mbylli lojërat, e fundit, si për të konfirmuar “shëtitjen” me ftesë në Paris.
Dikur olimpiadat e shqiptarëve, pas peshëngritjes kanë patur qitjen si sportin më të arritur, me Fatos Pilkatin, Afërdita Tusha në 50 metër psitoletë me ajër dhe Ismail Rama apo Beqir Kosova në 50 m pushkë me zjarr. Për të vazhduar më pas me Kristo Robon 25m pistolet zjarri dhe Enkelejda Shehu gjithashtu në 25 m, për të vazhduar me Diana Matën apo Arben Kuçanën, që ndoshta nuk kanë mundur të marrin medalje olimpike, por në asnjë rast nuk u renditën të parafundit.
Edhe në mundje, nuk kemi patur kampiona bote apo Europe, si tre sportistët e huaj që i morëm si të tillë, jo se i bëmë ne dhe në Olimpiadë janë të vetmit që kanë shanse për të marrë një medalje, falë stërvitjes dhe rritjes së tyre në Rusi, apo Çeçeni. Medalje që vlejnë se do të ngrihet ndoshta flamuri kuqezi lart dhe mund të kemi një statistikë që fituam medalje, por asnjë kontribut nga sporti i mundjes shqiptare, as për këta sportistë dhe as për brezat e rinj që janë në nivele shumë larg edhe vetë niveleve të Sahit Prizrenit, që sot është president i Federatës së Mundjes.
Për të mos folur për notin, që edhe pse një vend që laget nga dy dete dhe thuajse gjysmën e kufirit e ka detar, asnjëherë nuk kemi patur sportistë të nivelit të lartë.
Dhe për të mos u ndaluar vetëm tek sportistët, "bëmat" shqiptare plotësohen në Lojërat Olimpike të radhës "Paris 2024" me vendimin e fundit të KAS-it të Lozanës, gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, i cili shfuqizoi Asamblenë Zgjedhore të KOKSH-it, presidentin Fidel Ylli, dhe të gjitha vendimet e mara prej KOKSH-it deri në këtë Olimpiadë...
Por pavarësisht kësaj të gjithë këta sportistë dhe drejtues, legjitimë ose jo, janë në Paris, për të shijuar si spektatorë se si bota nxjerrë edicion pas edicioni emra të rinj, në sporte të ndryshme, ku planifikohet dhe punohet në sajë të projekteve afatgjata.
Dhe nëse dikur justifikoheshim me shprehjen “jemi vend i vogël dhe i varfër”, nuk mund ta themi se në 2 vitet e fundit Komitetit Olimpik Shqiptar përfitoi 10 milionë euro, për disa projekte pilot, të cilat për momentin nuk kanë patur ndonjë impakt në jetën sportive në vend, as në atë amator jo më profesionist. Kështu Shqipëria mbetet në pritje të rezultateve të mundsave, me telefona në dorë, për të postuar në rrjetet sociale ndoshta një rezultat të mirë të tyre, për ta trumbetuar shpejt si një arritje tonën… por ama të blerë, jo të projektuar dhe pa një të ardhme, pasi edhe pas 52 vitesh nga debutimi në Olimpiada, ne mbetemi nën moton “Rëndësi ka pjesëmarrja…!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.