Politike

Bozdo: Duhen 10 vjet për portin e ri detar, deri atëherë shqiptarët do fryjnë sytë se portin aktual ia fali Alabarit

Anëtari i kryesisë së PD-së, Eno Bozdo, e cilësoi spektakël hapjen e garës për Portin e ri të Durrësit nga kryeministri Edi Rama. Sipas tij, pas këtij procesi fshihet vjedhja më e madhe  pronës publike.   

“Mbrapa premtimeve bombastike për punësim të Ramës, qëndron fakti tronditës të cilin ai nuk përmendi asnjë herë: ky port i ri do t’i kushtojë shqiptarëve minimalisht 1, 5 miliardë euro dhe këto euro nuk dalin nga fitimet e Alabar, por nga xhepat tanë. Skema e Ramës është poshtërsi ekonomike dhe shoqërore: Portin aktual të Durrësit, prona më e vlefshme në Shqipëri, e merr miku i tij, ndërsa Porti i ri i Durrësit ndërtohet me paratë e taksave të shqiptarëve. Alabar do të pasurohet më tej me pronën e falur nga Edi Rama, ky i fundit ndo marrë thelën e vet, kurse shqiptarët do të hapin sytë. E vetmja gjë që shqiptari i thjeshtë do të mund të bëjë në vendin që dikur ishte pronë e të gjithëve, është të hajë një akullore dhe të shohë vitrinat e dyqaneve të shtrenjta. Prona publike kthehet në mollë të ndaluar nga Edi Rama”, tha Bozdo.

Ai nënvizoi në daljen publike se Partia Demokratike ka depozituar në 13 shkurt të këtij viti, padinë për këtë cështje në SPAK. Ai sqaroi edhe pozicionin e PD në raport me ndërtimin e Portit të ri të Durrësit.  

“Partia Demokratike nuk kundërshton asnjë vepër publike, dhe aq më tepër një port të ri detar. Por ne denoncojmë faktin se prona publike është vjedhur, se do të duhen minimalisht 10 vjet që porti të ndërtohet dhe të hyjë në treg. Në kushtet kur Shqipëria është aktualisht pa asnjë port, kjo është vrastare për ekonominë dhe pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë në tregtinë detare dhe në rrjetin e sigurisë së NATO-s.

Nga kjo katastrofë në emër të babëzisë dhe propagandës që ka gatuar Rama, po përfitojnë portet konkurrente në Greqi dhe Mal të Zi. Mbrapa çdo spektakli të Ramës, qëndron mbulimi i një skandali. Mbrapa spektaklit të djeshëm qëndron hija e dëshmisë tronditëse të njeriut shumë të afërt, mikut dhe zëvendësit të tij për më shumë se një dekadë”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë