Ngjarje

‘Luftë’ me flakët edhe në Gjirokastër dhe Elbasan. Shuhen 13 vatra zjarri, 7 ende aktive

Gazeta Si- Në 24 orët e fundit ka vijuar puna për shuarjen e zjarreve në disa zona të vendit, ku së fundmi janë shtuar vatra të reja në Gjirokastër e Elbasan.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Mbrojtjes, janë shuar 13 vatra zjarri nga 20 të evidentuara në 24 orët e fundit, mes tyre edhe zjarri në fushën e mbetjeve në qytetin e Vlorës.

Ndërkohë 7 vatra zjarri mbeten ende aktive, përfshirë dhe atë me përmasa të mëdha në Shëngjin të Lezhës.

Por vijojnë të jenë aktive sot zjarret në:

Fshatin Zogaj, Bashkia Tropojë, i cili është izoluar plotësisht në kufi me bashkinë Has dhe vijon aktive me intesitet të ulët në veri të lagjes Hajdarmataj. Strukurat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura po vijojnë operacionin në atë zonë. Po punohet për shuarjen e vatrës në fshatin Hoten, bashkia Vau Dejës. Zjarri ka intensitet të ulët dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Zjarri në fshatin Mal-Shëngjin, Bashkia Lezhë, i cili është aktiv prej disa ditësh, pasditen e djeshme u përhap menjëherë duke vënë në rrezik bizneset dhe zonat e banuara. Pas ndërhyrjes nga ajri është bërë e mundur shmangia e rrezikut për qytetarët. Sot vijon operacioni nga toka dhe ajri.

Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Zavalinë, bashkia Elbasan, ku janë angazhuar në aksion strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga Forcat e Armatosura. Puna po vijon edhe në dy vatra të tjera, në kodrat e ligenit të Viroit, në Gjirokastër dhe fshatin Lozhan, Bashkia Maliq.

Gjirokastër

Vatra e zjarrit që nisi paraditen e të hënës në Virua të Gjirokastrës u përhap gjerësisht në disa drejtime në Malin e Gjerë.

Flakët që kanë vazhduar përgjatë gjithë natës kanë mbajtur të angazhuar forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës që përgjatë gjithë natës kanë luftuar me zjarrin për mos lejuar t’i afrohej qytetit dhe fshatrave përreth.

Në ndihmë kanë ardhur efektivë nga Tepelena dhe Permeti. Rreth orës 04:30 u bë riorganizimi në stacion për dislokimin e forcave në pikat kyçe për mbajtjen nen kontroll dhe izolimin e plotë të zjarrit.

Lufta me flakët vijon ende. Momentalisht në operacion janë angazhuar 107 forca vullnetare nga Bashkia, 50 forca nga FA, 6 punonjës me kontrate dhe 14 efektiva zjarrfikëse nga Drejtoria Gjirokastër të ndarë në grupe.

Elbasan

Edhe në Elbasan zjarrfikësit janë në luftë me flakët. Sipas informacioneve, vijon të mbetet aktive vatra e zjarrit në fshatin Zavaline, ku 30 efektivë të ushtrisë me tre mjete dhe rreth 40 forca të zjarrfikëses së Elbasanit dhe emergjencës, po punojnë për shuarjen e flakëve.

Për shkak të terrenit malor, është e pamundur ndërhyrja deri në zonë me mjetet zjarrfikëse. Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim një 28-vjeçar, i cili dyshohet se nga pakujdesia ka shkaktuar zjarr, nga përhapja e të cilit është djegur një sipërfaqe toke me shkurre në Zavalinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë