Ngjarje

Situatë kritike te Rana e Hedhun, zjarri ‘rrethon’ hotele e banesa! Digjen çadrat e një resorti. Evakuohen turistët e banorët, ndërhyrje me avionë Canadair nga ajri (Foto, video)

Në orët e pasdites, situata nga zjarret te zona e Ranës së Hedhun në Shëngjin, është përkeqësuar, pasi flakët kanë dalë jashtë kontrollit pavarësisht se është punuar gjatë gjithë natës për shuarjen e tyre.

Flakët u janë afruar shumë afër resorteve e banesave, duke bërë që gjatë natës të evakuohen turistë të shumtë që po pushonin këtë zonë në kulmin e sezonit turistik, si edhe banorë të zonës.

Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme, pasi ka dëmtime edhe të bizneseve dhe "beach bareve nga flakët.

Siç shihet në foto, punonjësit e hotelit përpiqen që të heqin çadrat prej kashte nga rëra, që të mos përfshihen nga flakët.

Tashmë kanë mbërritur avionët Canadair, të mbrojtjes civile europiane për shuarjen e zjarrit.

Zona ku është riaktivizuar vatra është shumë pranë ish-zonës ushtrake dhe dyshohet për shpërthime të municioneve të mbetura aty prej vitesh. Ndërkohë për shuarjen e zjarrit po punojnë 20 automjete zjarrëfikëse.

Flakët po vijojnë të hapen me shpejtësi të madhe edhe në zonën e rrugës Shëngjin-Velipojë, po ashtu është aktivizuar një tjetër vatër zjarri e re në anën tjetër të malit.

Edhe pse po punohet nga toka dhe ajri, situata mbetet kritike në këtë zonë, ku zjarri po afrohet dhe pranë disa bizneseve dhe banesave.

Nga ora 07:00 e mëngjesit të 30 korrikut ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter, për të neutralizuar flakët. Në terren ndodhet ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i shoqëruar nga përfaqësues të shtabeve të emergjencave.

Flakët dolën jashtë kontrollit mesnatën e 30 korrikut, ndërsa policia bllokoi rrugën që të çon drejt zonës turistike të Ranës së Hedhun për të shmangur rrezikun për banorët dhe turistët.

Gjatë orëve të para të mëngjesit policia ka evakuuar turistët nga këto njësi akomodimi për sigurinë e tyre pasi siç shihet nga pamjet zjarri është afruar shumë me zonën e banuar duke rrezikuar edhe disa banesa.

Për shuarjen e zjarrit është angazhuar një helikopter, forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit e qarkut të Lezhës.

Zjarri është aktiv prej disa ditësh ndërsa era bëri që të përhapet në dy drejtime, në Ranën e Hedhun dhe në zonën e qytetit të Shëngjinit.

Ndërkohë në Shëngjin në ndihmë të zjarrfikësve të Shkodrës kanë shkuar edhe disa grupe zjarrfikësish nga Kamza dhe Tirana.

“Jemi dislokuar këtu në zonën e Shëngjinit për të shuar vatrën e zjarrit ku kemi angazhuar dhe disa bashki duke filluar nga Tirana, Kamza, Fieri, Berati, Lushnja, Mirdita, Vau Dejës, Shkodra, pra më shumë se 20 automjete zjarrfikëse dhe më shumë se 80 forca operacionale të MZSH mbështetur nga forcat operacionale të Policisë së Shtetit, 2 automjete të zjarrfikëseve të ushtrisë, por dhe forca të tjera nga organizata të tjera ligjzbatuese ku kanë punuar përgjatë gjithë natës deri në orët e para të mëngjesit për të lokalizuar vatrën e zjarrit këtu në zonën e Shëngjinit, siç edhe ju e shikoni vatra është akoma aktive, por një pjesë e mirë e vatrës së zjarrit është lokalizuar nga forcat operacinale ku kanë punuar përgjatë gjithë natës e theksoj me një intensitet shumë të lartë gjë e cila mbetet për tu vlerësuar dhe për t’i përshëndetur të gjithë zjarrfikësit dhe forcat operacinale të cilat morën pjesë në këtë operacion. Sot aktualisht po mbështetemi dhe nga helikopteri që po na e lehtëson deri diku punën, mendojmë që gjatë ditës do e vendosim nën kontroll dhe do e mbyllim përfundimisht vatrën e zjarrit”, informoi Drejtori i Përgjithshëm Shërbimit Zjarrfikës Arben Cara.

Ministri Balla falënderoi gjithë Forcat Zjarrfikëse, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura Forcën Ajrore për përfshirjen në operacion.

“Po bëjnë një punë të shkëlqyer me helikopterin, ju nxis të vazhdoni me këtë intensitet për ta përmbyllur me sukses përballjen me këtë situatë tepër të vështirë, e cila vazhdon. Na duhet të mirë-administrojmë forcat sepse e vërteta është që kemi dhe plot zjarre të tjera në zona të caktuar. Kemi sjellë këtu forca nga Berati, nga Fieri natyrshëm Tirana, Kamza apo bashkitë fqinje me bashkinë Lezhë dhe na duhet që ta vendosim tërësisht në kontroll gjatë ditës së sotme për të qenë të përgatitur për situata të tjera dhe më të vështira”, deklaroi Balla.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu duke e cilësuar një situatë të pashembullt tha se “zjarri i ndihmuar nga era e fortë ka rrezikuar seriozisht, banesat dhe hoteleritë tek zona e Ranës së Hedhun”.

Ndreu tha se po kryhet një superorganizim me në krye Drejtorin e Shërbimit Zjarrfikës Shqiptar, Arben Cara, Prefektin e Qarkut, Gjergji Prendi, forcat e shërbimeve të Zjarrfikëseve dhe Shërbimeve të tjera të bashkisë Lezhë, forcat zjarrfikëse pothuaj nga e gjithe Shqipëria”.

“Situata vazhdon me shpresën se me ndërhyrjen e helikopterit dhe zjarrfikëseve do vihet në kontroll. Gjithsesi dëmi është i madh në pyje”, tha Ndreu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë