Bota

Zgjedhjet në Venezuelë, Maduro rikonfirmohet president. Opozita denoncon për parregullsi

Gazeta Si – Asgjë nuk ndryshon në Venezuelë. Nicolas Maduro është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale, por opozita denoncon për vjedhje të votave.

Sipas të dhënave të shpallura nga Këshilli Zgjedhor, presidenti në largim do të kishte marrë 51.2% të votave, krahasuar me 44.2% që i atribuohen Gonzalez Urrutias (me 80 për qind të votave të numëruara).

Pjesëmarrja ishte 59%. “Ne fituam dhe e di e gjithë bota”, tha në një konferencë të përbashkët për shtyp kryetarja e Platformës Demokratike Maria Corina Machado, e cila përfaqëson frontin e opozitës, e cila ishte shpallur e papërshtatshme nga regjimi.

Reagimi i SHBA ishte pothuajse i menjëhershëm. Antony Blinken, Sekretari i Shtetit, shprehu “dyshime serioze” se rezultatet përfaqësojnë vullnetin e popullit” dhe “shqetësim serioz”.

Kreu i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bëri thirrje gjithashtu për respektimin e vullnetit të votuesve: “Është thelbësore të garantohet transparencë e plotë e procesit zgjedhor, duke përfshirë numërimin e detajuar të votave dhe aksesin në regjistrat e votimit në qendrat e votimit. ”, ka shkruar në “X”.

“Nuk patën sukses me sanksione, me agresion, me kërcënime. Nuk ia kanë dalë tani dhe nuk do t’ia dalin kurrë me dinjitetin e popullit të Venezuelës. Fashizmi në Venezuelë, përballë tokës së Bolivarit dhe Chavezit, nuk do të kalojë”.

Këto janë fjalët e para të presidentit Nicolas Maduro, i cili festoi me mijëra mbështetës të mbledhur para Pallatit Miraflores.

“Chavez jeton. Chavez, ky triumf është i yti”, shtoi më pas, duke kujtuar se dje, në ditën e zgjedhjeve, ishte ditëlindja e shtatëdhjetë e tij.

Disa orë më vonë, kryetarja e frontit të opozitës, Maria Corina Machado, e cila nuk kishte mundur të kandidonte në zgjedhje, doli para gazetarëve, duke kundërshtuar rezultatin zyrtar: “Ne kemi një president të ri dhe ai është Edmundo Gonzalez Urrutia. Ne kemi fituar në çdo sektor dhe në çdo shtet të vendit. E dimë se çfarë ka ndodhur”, denoncoi Machado, duke siguruar se opozita do të sigurojë numërimin e të gjitha votave.

“Të gjithë ne venezuelasit e dimë këtë me shpresën e një tranzicioni paqësor dhe sot i mundëm me votat e të gjithëve”, deklaroi kreu i partisë Vente Venezuela, duke u kërkuar forcave të armatosura të respektojnë sovranitetin popullor.

“Nuk do të pranojmë që mbrojtja e së vërtetës të konsiderohet dhunë, dhuna e vërtetë është fyerje e së vërtetës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë