Ngjarje

(Pa)siguritë e ringjalljes së industrisë së armëve në Shqipëri

"Historia ka treguar se ne kemi dështuar edhe në një fabrikë fishekzjarresh"

Nga Gazeta ‘SI’- “Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës ‘Made in Albania’ dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës ‘Made in Albania'”, tha kryeministri Edi Rama, në prill të këtij viti, një muaj para se drafti i rikthimit të prodhimit të armëve në Shqipëri, të bëhej publik.

Nuk ka ende detaje teknike për rijetëzimin e industrisë së armëve, por projektligji i parë i hartuar është ai i ngjitjes së KAYO-s, kompanisë shtetërore të armëve.

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, në një analizë për Gazetasi.al thotë se Shqipërisë nuk i duhen armët, nuk ka kapacitete për të ndërtuar armë dhe kurrsesi nuk mund të konkurrojë me tregun e huaj.

“Shqipëria nuk ka nevojë për armë. Kërkesat tona janë minimale. Tendenca për të prodhuar mjete të blinduara, avionë etj janë euforike. Më shumë dukje se sa interes kombëtar. Çfarë interesi do të ketë Shqipëria të prodhojë armë dhe të konkurrojë me prodhuesit global të armëve? Shqipëria afron bazat e saj si Poliçani dhe Gramshi por nuk ka fuqinë punëtore dhe teknikët, por kjo traditë e brezave ka kaluar. Eksperienca e një fabrike për prodhimin e fishekzjarreve në Vorë, iniciativë private, dështoi. Armët e Poliçanit kanë pasur gjithmonë probleme. Edhe pse u investua shumë, nuk i rritën standardet e prodhimit.”

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa/Gazetasi.al

Nuk dihet se ku do të zërë vend uzina e re dhe çfarë armësh do të prodhohen aty, por deputeti socialist dhe ish-ushtaraku Denis Deliu, tregon se ato do të furnizojnë Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.

“Armatimi i lehtë që përdorin Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe Policia e Burgjeve është një armatim që kërkon edhe konsumim të madh të fishekëve. Konsumimi i numrit të fishekëve ka kosto për buxhetin e shtetit. Ky lloj prodhimi do të sillte mbulimin e nevojave me gjysmë çmimi brenda vendit dhe në shtetin e Kosovës. Pra FA, Garda e Republikës do të përgatiten më mirë në njohjen e armëve të zjarrit. Shqipëria do të kishte patentën e saj dhe nuk do të kishte nevojën të blinte armatim nga jashtë. Shqipëria ka eksperiencën në prodhimin e armëve. Ka burime njerëzore që kanë pasur eksperiencë dhe përvojë të gjatë në prodhimin e armëve. Po ashtu kemi uzina dhe kombinate, të cilat sot fatkeqësisht nuk janë funksionale. Nuk ka pse Kosova apo Shqipëria të blejnë armatim nga jashtë kur mund t’i kemi kapacitetet këtu”, tha Deliu në një intervistë për A2 CNN.

Eksperti Softa thotë se siguria është shqetësimi më i madh.

“Siguria është një problem serioz. Si në drejtim të aksidenteve ashtu dhe në drejtim të keqpërdorimit të prodhimit të armëve që mund të trafikohen. Armët e Poliçanit kanë pasur gjithmonë probleme. Edhe pse u investua shumë, nuk i rritën standardet e prodhimit. Gërdeci ishte një memorie e keqe. Nuk kishte transparencë. Janë keqpërdorur pasuritë e ushtrisë. Kryefjala ka qenë korrupsioni dhe përvetësimi.”

Frikën për një tjetër “Gërdec” e kanë dhe vetë socialistët.

Ishte deputeti Erion Braçe, që përballë zv.ministrit Tola në komisionin e Ekonomisë tha se qeveria duhet të mendojë sigurinë para përfitimit, pasi Shqipëria “ka ngjarje të rënda mbi kurriz”.

Zv.ministri i Mbrojtjes, Dorian Tola gjatë prezantimit të draftit për prodhimin e armëve në komisionin e Ekonomisë/Gazetasi.al

Zv.ministri i Mbrojtjes Dorian Tola, garantoi siguri të lartë gjatë prezantimit të projektligjit duke thënë se industria e re do të funksionojë sipas standardeve të NATO-s.

Për Softën, risk është edhe varësia e këtij sektori nga kabineti qeveritar e jo parlamenti, dhe kjo ngre shqetësimet për shpërdorim të iniciativës, mungesë transparence dhe korrupsion.

“Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes dhe ajo që krijohet, miratohet si drejtuesi ashtu dhe struktura nga kryeministri. Kjo është e rrezikshme sepse anashkalon parlamentin dhe devijon nga qëllimet e interesat. Licenca jepet dhe hiqet nga kryeministri. Afatet 10 vjeçare si dhe PPP janë me afate shumë më të mëdha në kohë se mandatet e qeverisjes politike. Aq me tepër pa analizuar interesat apo risqet për sigurinë kombëtare. Një industri armësh në Shqipëri forcon lobet dhe klanet. Shqipëria është Këshilli i Ministrave, nuk është një dakordësi e kaheve të politikës. Kujt do t’i vlejë? Do t’a tregojë koha!”, deklaron eksperti i sigurisë.

Prodhimi i armëve si investim strategjik

Qeveria ka parashikuar një sërë masash lehtësuese për prodhuesit e armëve, duke nisur nga barra tatimore. Çdo subjekt që investon minimumi 25 mln euro, do të ketë prioritet në shërbime, do të jetë i përjashtuar për 10 vite nga tatim-fitimi dhe nga taksat vendore dhe qendrore të pasurisë. Nuk do të taksohet as për infrastrukturën dhe as për transportet në doganë. Prodhuesit dhe tregtarët e armëve do t’i paguajnë shtetit shqiptar vetëm 10% TVSH.

Ata do të kenë suport dhe në faturat utilitare, si energji elektrike, ujë, gaz për 10 vite dhe do të kenë qasje në fond mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes.

AIM, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, do të jetë përgjegjëse për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e sektorit të prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armatimit ushtarak, pranë ministrisë së Mbrojtjes.

Debati

Në komisonet ndërparlamentare, shqyrtimi i projektligjit të armëve u hap dhe u mbyll brenda ditës, pa shumë kontestime.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti shqetësimin e pronësisë së KAYO, që sipas saj do të kthehet në një biznes privat.

“Në projektligj është përcaktuar që KAYO do jetë një kompani sh.a dhe me një buxhet 3 mln USD që nuk duket se del për të financuar sa ç’duhet gjithë sa kërkon. Por gjithsesi fakti që është sh.a dmth që dikush tjetër mund të kërkojë blerjen e aksioneve. Në rastin e një blerësi potencial sa aksione maksimale do ketë shteti? Përse mungon përcaktimi 51% në ligj? Në rastin se shteti do jetë krijuesi i shoqërisë me 100% aksione dhe me prona shtetërore në shërbim të KAYO si do futet një privat për të blerë aksione? Si do jetë formula e hyrjes? A nuk do ishte më mirë sikur qeveria shqiptare ta kishte tërësisht në pronësi shtetërore dhe jo sh.a? Ne nuk jemi këtu për të mbështetur tigra prej letre!”, u shpreh deputetja.

Kolegia e saj, Dhurata Çupi tha se ligji i prodhimit të armëve është klientelist dhe se nuk ka asnjë studim për përfitimet e shtetit.

Shqetësim mes deputetëve opozitarë ishte edhe urgjenca e qeverisë për të miratuar ligjin dhe mosrespektimi i hapave “normalë” i shqyrtimit të një drafti.

Pamje nga uzina e armëve Poliçan, foto ilustruese/Gazetasi.al

Për ekspertin Softa, nxitimi për ta aprovuar dhe mungesa e transparencës së debatit publik fsheh të panjohura.

Projektligji që pritet të miratohet sot në Kuvend (26 korrik) thekson se shoqëria KAYO, ka të drejtë të hyjë në marrëdhënie me palët e treta, subjekte shtetërore ose private, vendase apo të huaja në të gjitha fazat e zhvillimit të veprimtarisë së saj, në përputhje me kriteret dhe procedurat e caktuara me këtë ligj.

Zv.ministri i Mbrojtjes shpjegoi se kjo është e vetmja mënyrë që industria e armëve të funksionojë në Shqipëri përshkak të ngërçit me burimet e financimit. Shqipëria ofron tokën, privati paratë.

“Nuk ka mundësi tjetër prodhimi përveçse me një partneritet privat. Shoqëria tregtare do të jetë 100% shtetërore, por shoqërisë i lejohet të bashkëveprojë me kompani të tjera. Ne nuk kemi mundësi për të financuar këtë kompani. Ka partnerë të interesuar për forma tregtare bashkëpunimi dhe ne do të ofrojmë lehtësira, kushte etj”, u shpreh Tola, duke shtuar se interesi për këtë industri është shumë e lartë.

Ai theksoi se kostot për ngritjen e infrastrukturës së shoqërisë së prodhimit të armëve do të shkojë 3 mln euro, ndërsa 3 mln euro të tjera do të shkojnë për detyrimet e prapambetura të ish-uzinave shtetërore të armëve, që tashmë do të kalojnë tek kompania e re.

Përveç draftit, sqarimet publike për rikthimin e industrisë së armëve janë pothuajse inekzistente. Deri në momentin e një tjetër projektligji, iniciativa mbetet, siç thotë eksperti Softa, një lëvizje e radhës për të forcuar qeverinë dhe koha është gjykatësi më i mirë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë