Ngjarje

U rrezikuan banesa / Arrestohen autorët e dy zjarreve në Rrogozhinë e Golem (video). 5 vatra aktive, KFOR ndërhyn në Tropojë

Nga Gazeta Si- Policia ka identifikuar dhe ka vënë në pranga dy autorë të dyshuar të zjarrvënieve mesditën e djeshme në Golem dhe Rrogozhinë.

Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa, si dhe u dogjën parcela të mbjella me ullinj e pemë të tjera frutore dhe sipërfaqe pyjore, në fshatrat Zigxhafaj dhe Sineballaj.

Si rezultat i hetimeve u arrestuan shtetasit:

-B. H., 60 vjeç, banues në fshatin Zigxhafaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, janë rrezikuar banesa në zonë, janë djegur sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe pemë frutore, si dhe janë djegur sipërfaqe pyjore;

-Z. S., 58 vjeç, banues në fshatin Sineballaj, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, për të djegur mbeturina, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke e mbjellë me ullinj.

Neutralizimi i flakëve dhe shpëtimi i banesave janë bërë të mundur si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse dhe atyre të Forcës së Sigurisë Kombëtare, me asistimin e një helikopteri të Ministrisë së Mbrojtjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr".

Policia e Shtetit apelon sërish për qytetarët që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarr, pasi reagimi i Policisë për arrestimin e autorëve do të jetë i menjëhershëm, konform parashikimeve të Kodit Penal për këtë krim.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes njofton se janë shuar 17 vatra të zjarrit në territorin e vendit edhe pse disa vijojnë të mbeten problematike.
"Prej ditës së djeshme vijon puna nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj të bashkisë Tropojë. 100 Forca të Armatosura u janë bashkuar përpjekjeve të nisura prej dje, të forcave dhe kapaciteteve operacionale të pushtetit vendor të mbështetura nga 3 helikopterët e KFOR bashke me një ekip nga Kosova. Falë këtyre përpjekjeve është bërë e mundur shmangia e rrezikut për banesat e lagjes Hajdarmataj.


Po ashtu puna e forcave operacionale ka bërë që të shmanget kalimi I flakëve drejt banesave në vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe fshatin Torovicë, në bashkinë Lezhë, ku gjithshtu janë angazhuar në ndihmë të pushtetit vendor efektivë të FA.
Po punohet nga frocat në një tjetër vatër aktive në fshatin Hoten, Vau Dejës, në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Vlorë, për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qëndror si dhe në një vatër zjarri në bashkinë Konispol, fshati Shalës", thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë