Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohet me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, më 25 korrik, një ditë pasi ai t’i drejtohet me një fjalim Kongresit amerikan.
Lajmin e transmeton agjencia AFP, duke u cituar në një zyrtar amerikan.
Data e takimit në Shtëpinë e Bardhë ishte e pavendosur, pasi Biden u infektua me koronavirus dhe ishte në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer.
Izraeli raportoi fillimisht se dy liderët do të takoheshin më 23 korrik.
Netanyahu pritet t’i drejtohet Kongresit të SHBA-së të mërkurën, në lidhje me luftën e ushtrisë së tij në Gazë.
Pavarësisht kësaj lufte, SHBA-ja ka vazhduar mbështetjen për Izraelin, si në aspektin diplomatik, ashtu edhe në sigurimin e armëve, por Biden ka shprehur disa herë shqetësime për sjelljen e Izraelit.
Në një rast, ai e ka cilësuar atë si “ekstreme”.
Lufta në Gazë ka shpërthyer në tetor të vitit të kaluar, kur Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – ka sulmuar i pari Izraelin, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme masive në Gazë – enklavën që kontrollon Hamasi.
Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se mbi 39.000 njerëz janë vrarë prej se ka nisur lufta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




