Politike

‘Qëlloni në trup’/ Si lidhet Sali Berisha me urdhrin për vrasjet e 21 Janarit? Xhaxhai i Aleks Nikajt zbardh regjistrimin që dorëzon të hënën në SPAK

Nga Gazeta 'Si'-Mark Nikaj, xhaxhai i Aleks Nikajt, një nga katër të vrarët e protestës së opozitës socialiste në 21 Janar 2011 nuk flet me shumë entuziazëm për hetimin e ri që do të ndërmarrë SPAK-u për të zbuluar se me urdhrin e kujt u vranë protestuesit. 

“SPAK nuk ka asnjë meritë. Ai është i urdhëruar nga Gjykata e Strasburgut dhe nga Gjykata e Lartë. Ne duam që SPAK të mos i bëjë dalje çështjes”- thotë Mark Nikaj në një intervistë për Gazetasi.al.

Ky mosbesim ndaj drejtësisë që ai e shreh hapur, ka ardhur për shkak të mënyrës sesi është hetuar çështja nga Prokuroria e Tiranës, ku edhe pas padisë së re në 2021 nuk ka asnjë të re. I mësuar me procedurat e drejtësisë këto 13 vjet, Mark Nikaj është I vetëdijshëm se do të jetë shumë e vështirë për të çuar para drejtësisë ish kryeministrin Berisha dhe ish Ministrin e Brendshëm Basha si personat përgjegjës për vrasjet. Emrat e tyre janë në padinë e familjarëve të viktimave, padi e cila do të hetohet nga SPAK, me urdhër të Gjykatës së Lartë.

“Po të mos ishte vendimi i Strasburgut, jam i bindur se edhe Gjykata e Lartë do ta rrëzonte kërkesën tonë.”- shprehet Mark Nikaj, i cili është bërë gati që të hënën të shkojë në SPAK dhe të dorëzojë një rregjistrim të 21 janarit, që sipas tij, provon përfshirrjen e Berishës në dhënien e urdhrit për vrasjen e protestuesve.

Mark Nikaj i tha Gazetasi.al se regjistrimi është një material audio, me zë, ku ai nuk shquan zërin e Berishës, por është provë e lidhjes së tij me urdhrin.

“Vërtet nuk kam bërë ekspertim, por kuptoj se Ndrea Prendi, Komandanti i Gardës në atë kohë, futet në selinë e Këshillit të Ministrave dhe kur del, thotë “Përdorni armët! Qëlloni në trup”. Këtë urdhër e ka dhënë, kur, praktikisht, demonstrata kishte mbaruar.”- theksoi xhaxhai i Akeks Nikës gjatë intervistës, ku ka mesazh për PS dhe përfshin edhe ambasadën e SHBA.

Gazeta Si: Besoj se jeni të kënaqur që 21 Janari u rihap, por çfarë prisni nga SPAK?

Mark Nikaj: Kur morëm lajmin se Strasburgu na dha të drejtë, na u duk sikur Aleksi u rikthye. Për ne u hap një derë e re e drejtësisë për 21 janarin. Po shkojnë 14 vjet dhe drejtësia shqiptare nuk ka funksionuar. Sipas mendimit tonë, drejtësia na ka prerë në besë, sepse ajo ka detyrim kushtetues, ligjor dhe moral që krimet, siç u krye ai nga Garda e Republikës në 21 janar 2011, vrasësit, si dhe ata që urdhëruan këto krime të shkojnë para drejtësisë. Për ne është shumë e rëndësishme që Strasburgu urdhëroi drejtësinë shqiptare për një hetim të gjithanshëm, për hetimin e të gjithë zinxhirit komandues të Gardës dhe kujtdo që kishte bënte me urdhrat e dhënë për 21 Janarin, që nga Garda deri tek selia e kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Gazeta Si: Ju e përmendët Strasburgun, por çfarë prisni të hetohet më shumë sesa është bërë deri tani? Çfarë nuk është hetuar dhe që duhet të hetohet?

Mark Nikaj: Ish-kryeministri, ish-Ministri i Brendshëm, bashkë me presidentin e ndjerë Bujar Nishani, thanë në atë kohë se “vrasjet janë kryer nga shteti, por nuk është shkelur ligji, sepse vrasjet u kryen në kushtet e mbrojtjes së nevojshme”. Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, megjithë kërkesën tonë, nuk ka pranuar as t’i thërrasë e t’i pyesë këta persona. Pse nuk janë thirrur për t’u pyetur, qoftë edhe si persona në dijeni ose për deklarata që ata bënë pas ngjarjes, kur thanë se “do të ikë koka kryetarit të atëhershëm të opozitës, nëse i afrohet prapë kryeministrisë”?! Prokuroria i quajti këto deklarata mediatike dhe nuk i thirri në prokurori, por këto janë qendrime politike, që tregojnë edhe gatishmërinë për të vrarë në 21 janar. Prokuroria duhet t’i thërriste dhe t’i pyeste pse kanë mbajtur këtë qendrim. Lulzim Basha në atë kohë tha se “ne i vramë brenda kornizës ligjore”. Tani ai bën manovra se gjoja nuk ka dijeni, por ai është në dijeni të plotë të kësaj masakre që ka kryer Garda e Republikës. Ajo nuk vepron pa mbështetje apo pa urdhër nga lart.

Gazeta Si: A besoni se SPAK do ta hetojë mirë çështjen, megjithëse në Gjykatën e Lartë Prokuroria e Posaçme mbrojti qendrimin se nuk ishte në kompetencën e saj ky hetim?

Mark Nikaj: Përpara një viti ne i kërkuam SPAK-ut që Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi të hetohen si organizatë kriminale, gjë që kuptohet nga kaseta që ne kemi. Kryetari i SPAK-ut na ktheu përgjigje se këtë hetim e ka nisur Prokuroria e Tiranës dhe e ka ajo për kompetencë, s’mund të hetojnë dy prokurori të njëjtën çështje njëkohësisht. Ne nuk kishim forcë më tepër, por bëmë padi kundër këtij vendimi të SPAK-ut për të shpallur moskompetencë. Të dyja shkallët nuk na dhanë të drejtë dhe bëmë rekurs në Gykatën e Lartë. Ishte koinçidencë që u publikua dhe vendimi i Strasburgut, ku u mbështet në vendimin e saj Gjykata e Lartë. Po të mos ishte vendimi i Strasburgut, jam i bindur se edhe Gjykata e Lartë do ta rrëzonte kërkesën tonë. Megjithatë, dua të tërheq vëmendjen se jo vetëm vrasësit, pra, Garda e Republikës dhe urdhëruesit e saj nuk kanë zbatuar ligjin dhe kanë shkelur të gjitha normat, por edhe opozita e kohës nuk e ka respektuar ligjin për tubimet, sepse ata duhet t’u prinin tubuesve dhe të tjera rregulla që kanë këto protesta.

Protestuesit u futën në përleshje me policinë, i kapërcyen perimetrat e sigurisë dhe, më pas, ndodhi ajo që ndodhi. Por çështja është pse ndodhi në fund, pasi shumica e njerëzve ishin shpërndarë nga gazi lotsjellës dhe mjete të tjera, ndërsa vetëm një pjesë e vogël qendruan. Prandaj pyesim se kush e urdhëroi Gardën të përdorë armën, kur nuk kishte më rrezik nga tubuesit? Garda nuk mund të veprojë në ato rrethana që të vrasë njerëz në rrugë se po shikojnë kryeministrinë. Në lidhje me SPAK-un, SPAK nuk ka asnjë meritë. Ai është i urdhëruar nga Gjykata e Strasburgut dhe nga Gjykata e Lartë. Ne duam që SPAK të mos i bëjë dalje çështjes, por nëse prokurorët e SPAK-ut nuk hetojnë siç i ka urdhëruar Gjykata e Lartë, ne kemi të drejtë të ankohemi në Komitetin e Ministrave në Strasburg për të vënë në dukje se nuk po respektohet vendimi i Strasburgut.

Gazeta Si: Ju deklaruat se dispononi regjistrimin që përmban prova për fajësimin e ish-kryeministrit Berisha apo të ish-Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha. Kur të paraqiteni në datën 22 korrik në SPAK, do ta dorëzoni këtë rregjistrim?

Mark Nikaj: Patjetër! Atë kemi kërkuar që në fillim, që këtë regjistrim t’ia dorëzojmë SPAK-ut. E dimë që do të behet i njëjti ekspertim për zërin etj. Siç do ta bëjë SPAK-u këtë, duhet ta bënte dhe Prokuroria e Tiranës, por ajo ka qenë e njëanshme në këtë drejtim dhe besoj se do ta përfundonte si çështja e Ilir Metës, duke thënë se “nuk dëgjohet mirë, nuk lexohet mirë,” pra do të jepte një dokument jo shumë të pranueshëm për gjykatën, pasi gjykata do prova të sakta që të fajësojë dikë. E kam dëgjuar vetë bisedën. Vërtet nuk kam bërë ekspertim, por kuptoj se Ndrea Prendi, Komandanti i Gardës në atë kohë, futet në selinë e Këshillit të Ministrave dhe kur del, thotë “Përdorni armët! Qëlloni në trup”. Këtë urdhër e ka dhënë, kur, praktikisht, demonstrata kishte mbaruar.

Gazeta Si: Rregjistrimi është audio apo video?

Mark Nikaj: Me audio, është vetëm me zë.

Gazeta Si: A dëgjohet zëri i ish-kryeministrit Berisha apo i ish Ministrit të Brendshëm Basha?

Mark Nikaj: Jo, nuk është zëri i Berishës. As i Bashës.  Të paktën unë nuk shquaj dot që të jetë zëri i Berishës në rregjistrim, por e theksoj se urdhri i Komandantit të Gardës për të qëlluar mbi protestuesit është dhënë pasi Ndrea Prendi ka hyrë dhe ka dalë nga godina e qeverisë. Është e provuar që ai shkon brenda dhe  del jashtë tek gardistët.

Gazeta Si: Pra, ju thoni që, meqë ka hyrë brenda, ka marrë urdhër për të qëlluar nga Berisha ose nga Basha?

Mark Nikaj: Ky është një supozim, por fakti që sapo doli nga kryeministria tha “qëlloni në trup”, do të thotë se ka marrë urdhër nga shefi i tij. Shefi i tij, sipas ligjit dhe rregullores së Gardës, është kryeministri. Ndërsa Ministri i Brendshëm ka thënë që atëherë se “vrasjet i kreu Garda, por ishin legjitime”. Këtë qendrim mbajti dhe presidenti i ndjerë Bujar Nishani. Për ne këto ishin deklarime të turpshme. Prandaj kërkojmë që drejtësia ta gjejë provën, të hetojë siç duhet.

Gazeta Si: A e komplikon gjetjet e fajtorit fakti që plumbi në trupin e Aleks Nikës është i dëmtuar në atë masë sa nuk identifikohet nga cila armë është qëlluar? 

Mark Nikaj: Sipas drejtësisë sonë dhe asaj ndërkombëtare nëse dy ose tre punonjës garde apo policie qëllojnë mbi njëkohësisht mbi turmë dhe vriten 10 apo 15, apo 4 vetë siç ndodhi, nuk ka autoritet që të provojë se cili plumb qëlloi cilin protestues. Ata janë vrarë katër dhe ata duhet të hetohen dhe gjykohen për vrasje ne bashkëpunim. Këto kanë shfrytëzuar mungesën e plumbit tek njëri dhe deformimin tek Aleksi. Plumbi i Aleksit është i deformuar. Ekspertët nga Stambolli thonë se është i shtrembëruar në kokën e tij. Po ta shohësh plumbin, është i bërë petë.

Gazeta Si: Nuk besoni se është qëlluar në ajër dhe plumbi ka bërë rikoshet në trup, duke e qëlluar pa dashje?

Mark Nikaj: Jo, nuk e besoj. Ai është pushkatim. E kanë thënë ekspertët këtë, edhe të FBI-së. 

Gazeta Si: A keni marrë dijeni se çfarë ka bërë prokuroria e Tiranës me hetimet për identifikimin e autorëve, siç kërkoni ju në padi?

Mark Nikaj: Prokuroria e Tiranës ka veçuar çështjen tonë. Ata të tjerët janë dënuar për vrasje nga pakujdesia për 2 prej të vrarëve, sepse nuk ientifikojnë nga është qëlluar plumbi. Që në këtë moment ata kanë gabuar. Se, nëse nuk do të ishte gjetur plumb, cfarë do të bëhej? Pra, ata që kanë qëlluar me armë në turmë duhet të përgjigjen për vrasjen e 4 personave dhe për tentativë vrasje për të plagosurit. Se ata i ka falur plumbi, si i thonë fjalës. Të gjitha këto i bëjnë me qëllim që ta fshijnë si çështje, sepse mban përgjegjësi shteti. Qeveria e kohës duhet të jepte dorëheqjen. Edhe Prokurorja e Përgjithshme duhet të jepte dorëheqjen, kur qeveria shpërfilli zbatimin e urdhërarresteve. Edhe Presidenti duhet të jepte dorëheqjen. Në lidhje me hetimin e prokurorisë nuk kam shumë për të thënë, sepse ata s’kanë bërë ndonjë punë të vlefshme. Ka 13 vjet nuk bën ndonjë gjë më shumë sesa ekspertim dhe riekspertim plumbi për vrasjen e Aleksit. Për Hekuran Dedën nuk kanë bërë asnjë veprim. Kanë arkivuar dosjen. S’mund të identifikojnë ata as Sali Berishën, as Lulzim Bashën dhe asnjë tjetër se nuk kanë bërë asnjë veprim tjetër. Ekspertimin e fundit e kanë çuar në Itali prej një viti.

Gazeta Si: Çfarë ju bën të besoni se tani do të provohet Berisha dhe Basha?

Mark Nikaj: Dihet botërisht që krimi është kryer me urdhrin e tyre dhe ata e kanë pranuar se e ka bërë Garda dhe Garda vepron me urdhrat e tye. Janë të vërtetuar urdhrat që ka dhënë Garda atë ditë përmes rregjistrimit. Garda është e filmuar duke qëlluar në popull. Pra, janë qitje me dashje. Si mund të veprojë Garda pa urdhrin e komandantit dhe komandanti pa lejen e shefit të tij? Ka qenë skenar ky. Jam i bindur se mund të ketë edhe ndonjë miratim të heshtur me lëvizje koke nga ndërkombëtarët. Fakti që ndërkombëtarët, veçanërisht amerikanët, kanë heshtur që në fillim dhe vazhdojnë të heshtin, do të thotë që është një çështje që duhet mbyllur.

Gazeta Si: Ju e kritikuat qendrimin e PS atëherë në opozitë për çështjen e organizimit të protestës. Tani pas 13 vjetësh, që ajo është në krye të shtetit, keni një qendrim?

Mark Nikaj: Nuk kam kërkuar asnjëherë drejtësi nga PS dhe nga qeveria. PS dhe qeveria janë mbrojtur me idenë se “nuk ndërhyjmë dot në punët e drejtësisë”. Po në cilën drejtësi? Çfarë drejtësie ka këtu? Është alibi, sepse drejtësia nuk ekziston. Por PS në këtë çështje është palë, sepse demonstruesit u vranë në protestën e thirrur prej saj. Prandaj, duhet të bëjnë përpjekje për të siguruar dokumenta, të mbajnë qendrim publik dhe të bashkohen me ne publikisht kundër vrasësve.

Gazeta Si: Nëse Berisha dhe Basha si persona të kallëzuar prej jush dhe familjarëve të viktimave të tjera, nuk do të gjenden fajtorë, cili do të jetë qendrimi juaj? 

Mark Nikaj: Aq sa prova kemi ne dhe aq sa është thënë, për ne janë fajtorë. Edhe nëse nuk i dënon drejtësia, ne kurrë nuk do t’i falim. Sepse na kanë bërë një dëm të jashtëzakonshëm, na kanë mbyllur derën. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë