Futboll

Conference League / Partizani barazon 1-1 me maltezët e Marsaxlokk, barazon edhe Tirana në Gjeorgji ndaj Torpedo Kutaisi

Partizani ka barazuar 1-1 në takimin e parë kualifikues të Conference League kundër skuadrës nga Malta, Marsaxlokk të luajtur në “Elbasan Arena”.

Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për skuadrën e trajnerit Orges Shehi, me kapitenin Murataj që shënoi që në minutën e 2-të të takimit.

Por festa e “demave” nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 15-të erdhi barazimi nga Yuri.

Ekipi i kryeqytetit tentoi të shënonte golin e avantazhit, ku gjatë sfidës pati disa raste, por pa arritur të gjente dot finalizimin e duhur.

Kështu Partizani shkon në sfidën e kthimit në Maltë, ku do të tentojë fitoren dhe kualifikimin.

Kurse Tirana” ka marrë një barazim 1-1 në Gjeorgji përballë “Torpedo Kutaisi”, në sfidën e vlefshme për raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Sfida nuk nisi mirë për bardheblutë, të cilët u ndëshkuan në minutën e 20’ nga një autogol i Micit.

Gjithsesi ekipi kryeqytetas nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte në minutat e fundit, falë një supergoli të Rimal Haxhiut në minutën e 87-të.

Trajneri Bledi Shkëmbi debutoi kështu me një barazim në ndeshjen e tij të parë zyrtare si trajner i “Tiranës”, në një transfertë të vështirë në Gjeorgji, teksa javën e ardhshme do të luhet ndeshja e kthimit në Shqipëri, ku do të tentohet kualifikimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë