Gazeta Si- Shtetet e Bashkuara do t’ia dërgojnë Ukrainës edhe një sistem tjetër kundërajror të llojit “Patriot”, thanë dy zyrtarë amerikanë të martën.
Uashingtoni i është përgjigjur lutjeve dëshpëruese të Kievit për ta ndihmuar me më shumë mbrojtje ajrore, pasi është duke u përballur me sulme të pareshtura ruse në rajonin e vet verilindor, Harkiv.
Zyrtarët thanë se presidenti amerikan, Joe Biden, e ka dhënë pëlqimin për këtë vendim. Ky do të jetë kundërajrori i dytë Patriot që Shtetet e Bashkuara ia dhurojnë Ukrainës, edhe pse Pentagoni i ka dhënë kohë pas kohe Kievit një numër të pazbuluar raketash për këtë sistem kundërajror.
Aleatë të tjerë, përfshirë Gjermaninë, gjithashtu i kanë dhënë Ukrainës kundërajrorë dhe municione për ta.
Më 10 maj, forcat ruse e nisën një ofensivë të re në Harkiv – qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, që ndodhet rreth 34 kilometra larg kufirit rus. Analistët e kanë përshkruar ofensivën si tentim për të krijuar “zonë neutrale”, përmes së cilës mbrohet territori i Rusisë.
Nga mesi i majit, komandanti i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskiy, tha se Rusia e ka zgjeruar ofensivën në një vijë prej 70 kilometrash, në përpjekje për të detyruar Ukrainën që t’i angazhojë edhe rezervistët.
Shtetet e Bashkuara janë ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës. Përveç ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, të miratuar nga Kongresi amerikan më herët gjatë vitit, presidenti amerikan Joe Biden propozoi në fillim të qershorit edhe një paketë tjetër në vlerë të 225 milionë dollarëve që përfshin municione, raketa, mortaja, artileri dhe raketa për mbrojtje ajrore. /REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




