Ka ndodhur

I shpallur në kërkim nga dosja ‘Metamorfoza’, arrestohet në Itali Aleks Ndreka

Gazeta Si- Aleks Ndreka, alias Aleksandër Deda apo siç njihet ndryshe “Leksi i Druve” është arrestuar në Itali.

I shpallur në kërkim nga SPAK gjatë operacionit "Metamorfoza", që përfshin disa grupe kriminale në vend, Ndreka është arrestuar në aeroportin e Malpensës në Milano tre ditë më parë.

Ndreka ishte i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza” dhe ishte në masën “arrest në burg” në mungesë.

“Si rezultat i informacionit të siguruar për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, nga Policia italiane u mundësua lokalizimi dhe kapja në Milano, Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Aleks Ndreka, 47 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit Aleks Ndreka, në Shqipëri“, tha Policia e Shtetit në një njoftim për mediat.

Sipas hetimeve të SPAK, dyshohet se Aleksandër Deda ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e PS, Arben Ndoka.

Kjo, pasi kishte dyshime se Ardian Nikulaj dhe Deda kishin mundësuar futjen e Durim Bamit për të ekzekutuar vëllain e ish-politikanit, Aleksandër Ndoka.

"Leksi i Druve" ka qenë shënjestër e sulmeve me armë zjarri dhe të atentateve të dështuara në të kalurën.  Ai është sulmuar edhe në vitin 2020 në superstradën Lezhë Laç.

Aty mbeti i plagosur, por arriti të shpëtojë, pasi u largua nga zona dhe shkoi vetë në spitalin rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën mjekësore. Autorët edhe në atë rast arritën të humbnin gjurmët, pasi dogjën makinën në fshatin Pllanë të Lezhës.

Gjatë marsit të vitit të kaluar drejt tij është qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, por për fat të mirë nuk u kap nga asnjë plumb.

Në 19 maj, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 9 prej 14 të arrestuarve si pasojë e megaoperacionit të SPAK ku u goditën 7 grupe kriminale.

Disa nga personat që janë lënë në "arrest me burg", janë Naim Stafuka, Armando Ndreca, Robert Laçi, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Deivis Bajramaj, Drianto Bardhi dhe Miri Bruli.

Si pasojë e dosjes që njihet si “Metamorfoza 2”, u goditën 7 grupe kriminale. Jashtë Shqipërisë janë arrestuar 6 persona, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Nga ky hetim u zbuluan aleancat mes grupeve kriminale për të goditur njëri-tjetrin për shkak të kontrollit të marrjes ëë territorit për trafik droge dhe ushtrim të paligjshëm të lojërave të fatit.

Urdhër-arrestet u nxorrën për personazhe të njohur të botës së krimit dhe në to përfshihej edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka dhe 4 zyrtarë policorë.

Policia tha se sekuestroi shuma të mëdha parash cash, flori, bizhuteri e makina të blinduara, vlera e të cilave shkon në rreth 3 milionë euro.

Falë këtij hetimi, SPAK ka zbardhur gjithashtu një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasje të bujshme që kanë ndodhur disa vite më parë

Sipas SPAK, operacioni është zhvilluar në kuadër të 4 procedimeve penale ku janë evidentuar kryerja e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje  gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë