Gazeta Si – Luciano Spalletti i përkufizon ato si “urdhrat tona”. Janë tabelat e ligjit mbi të cilat bazohet futbolli likuid, me trajnerin “axurr”, që synon të përballet me kampionatin e parë Europian të jetës së tij.
Kufiri i ri. Siç thotë Riccardo Calafiori, një nga zbulimet e kampionatit, i përfshirë në listën e 30-shes, por me një mundësi të madhe për të hyrë në 26-shen madhështore, “e rëndësishme është të zëmë hapësirat, jo kush i zë ato”.
Revolucioni i Spalletit
Është një lloj revolucioni, një kërcim drejt së ardhmes, një sistem tërheqës, madje i ndërlikuar, sepse i detyron lojtarët të qëndrojnë të ndezur nga minuta e parë në të fundit.
“Qëllimi është të bëhemi më pak të parashikueshëm”, thotë trajneri, i cili fokusohet shumë te taktikat: mëngjesi në Aula Magna, pastaj pasdite në fushën stërvitore.
Rezultatet duhet të nisin të shihen sonte në mbrëmje në Bolonjë, në ndeshjen miqësore ndaj Turqisë së Montella-s, i pari nga dy testet që do t’i duhen trajnerit italian për të kontrolluar gjendjen e lojtarëve dhe për të marrë një ide edhe më të saktë se kush duhet të shkojë në Gjermani dhe kush, tre përveç Gattit që stërvitet në Torino, do të lihet jashtë.
Programi i Spalletti-t sillet rreth 6 pikave për ta bërë Italinë më pak të lexueshme, por në të njëjtën kohë kompakte dhe të organizuar.
Duke nisur nga presioni i vazhdueshëm, siç arriti të bënte Atalanta e Gasperinit (dhe Gjimshitit) në Dublin për Europa League, për t’i hequr besimin kundërshtarit, deri në fund, që thotë “rend, studim dhe përgatitje”, pra riorganizimi për t’u kthyer në presing.
Presioni është ylli udhëzues, ai duhet në çdo fazë të ndeshjes. Italia do të synojë të kontrollojë lojën përmes menaxhimit të topit dhe mbajtjes së distancave mes reparteve, siç bën trajneri në stërvitje, sepse kur “axurrët” arrijnë të jenë “të shkurtër” në fushë, kundërshtarët e tyre luftojnë më shumë.
Rregullat e lojës
Ri-agresiviteti i lartë është një tjetër “kalë beteje” për kombëtaren italiane. Rikompozimi, të cilin Spalletti në kllapa e përkufizon si “kthim në shtëpi” do të thotë të mos gjendesh i pabalancuar kur topi kthehet në zotërimin e skuadrës tjetër.
Pak rregulla, por ato janë themelore. Spalletti është një çekiç, godet dhe kundërpërgjigjet në të njëjtat pika, ngre zërin, përsërit situatat, si në tabelë, ashtu edhe në fushë: “Ka ngjashmëri mes tij dhe Thiago Motta-s”, thotë Calafiori, i cili ende nuk ka arritur debutimin e tij për kombëtaren dhe shpreson ta bëjë në Bolonjë, para tifozëve të tij. Ngjashmëritë taktike vërehen shumë: “Të dy janë të përpiktë dhe nuk pranojnë gabime”, tregon ai.
Spalletti shkon drejt. Pasi ka siguruar kualifikimin në Europian pa probleme, ai synon t’i çojë deri në fund idetë e tij. Ajo që do të shohim në Gjermani do të jetë Italia e tij. Për mirë apo për keq.
Një sfidë edhe me veten. Projekti është ambicioz, koha është e shkurtër. Një kombëtare pa një sistem të vërtetë referimi “që mbrohet me katër dhe sulmon me tre, ku të gjithë do të duhet të jenë sulmues apo mbrojtës”, shpjegon trajneri. Një ekip i guximshëm, që ndërton nga fundi, mban kontrollin e lojës, shfrytëzon krahët dhe futjet në zonë.
Zgjedhjet e trajnerit
Kjo shpjegon disa zgjedhje, madje të bujshme, si lënia jashtë kombëtares e Locatelli-t dhe thirrja e Fagioli-t. Ata që mund të bëjnë shumë kanë një avantazh, ashtu si ata që janë të aftë fizikisht.
Kjo është arsyeja pse Calafiori dhe Folorunsho, ende me zero paraqitje, kanë shanse të mira për t’u nisur në kampin stërvitor gjerman.
Puna është shumë dhe ambicioze. Është një garë me kohën: në datën 15 në Dortmund, ndaj Shqipërisë, Italia synon të jetë gati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




