Ngjarje

Avokati Sokol Mëngjesi prej 6 ditësh në koma, niset drejt Athinës për shërbim të specializuar

Gazeta Si – Pas 6 ditësh në gjendje kome, avokati Sokol Mëngjesi është nisur për në Athinë.

Familjarët e tij i kërkuan sot ekipit të mjekëve të Spitalit të Traumës se donin ta nisnin avokatin drejt vendit fqinj në një spital të specializuar.

Mjekët patën këtë të hënë tentativa për ta nxjerrë nga intubimi. Mësohet se sot i është bërë skaneri, i cili ka treguar një ulje e ënjtjes në tru dhe sipas burimeve ka përmirësime.

Mjekët e Spitalit të Traumës u shprehën optimistë, pasi gjendje e tij është e stabilizuar, por vërejnë se jeta e Mengjesit është ende në rrezik.

Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua brutalisht nga tre persona, prej pesë ditësh është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 29 majit, ku pasi avokati ka lënë djalin e tij në kopësht, teksa po rrinte në këmbë jashtë rrethimit të institucionit është goditur me grusht nga një person dhe më pas është rrëzuar në tokë. Pas rënies koka i ka rënë në trotuar, ndërsa dy persona të tjerë kanë nisur ta godasin me shkelma.

Si pasojë e goditjeve ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke dhe nga këto goditje. Gjithashtu ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël.

Pavarësisht se Prokuroria e ndryshoi akuzën për të prangosurit, duke hequr vrasjen e funksionarëve publikë, mbetur në tentativë, duke e bërë plagosje me dashje të kryer në bashkëpunim, Gjykata e Tiranës ka vendosur që Dritan Nano, i dyshuar si organizuesi i sulmit dhe dhëndri i tij, Dorian Aliaj, një nga autorët të hetohen në burg.

Ndërkohë tre personat e tjerë të përfshirë në sulm ende nuk janë kapur nga policia. Për ta, është vendosur një shumë prej 20 mijë eurosh kur jep informacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë