Gazeta Si - Avokati Sokol Mëngjesi u sulmua dhunshëm mëngjesin e kësaj të mërkure sapo kishte lënë fëmijën në kopsht në zonën e ish-Bllokut.
Në dy video të siguruara nga Gazetasi.al, shihet avokati që po del nga kopështi nr.31 në rrugën "Pjetër Bogdani", ku 34-vjeçari ka qenë duke u largua nga kopshti kur është goditur nga 3 persona.
Ai është goditur fillimisht në kokë, duke rënë menjëherë në tokë. Ndërsa avokati rrëzohet, agresorët e kanë qëlluar sërish. Ata janë larguar me vrap, duke e lënë të shtrirë në tokë në kureshtjen e panikun e kalimtarëve, pasi gjithçka ndodhi në pak sekonda.
Dhunuesit e avokatit ishin të veshur me rroba të zeza dhe mbanin kapele në kokë, ndërsa video e publikuar tregon se avokati është dhunuar brutalisht.
Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia janë autorët e dyshuar që kanë dhunuar avokatin Sokol Mëngjesi.
Ai mori goditje me sende të forta në kokë dhe pas disa orësh në spital gjendja e tij u përkeqësua. Policia zbardhi ngjarjen, teksa prangosi organizatorin dhe po kërkon 3 autorë, ndërsa më herët njëri prej tyre u dorëzua. Dhuna ndaj avokatit ishte për shkak të detyrës, tha Policia e Shtetit.
Të katër të rinjtë ishin organizuar për të dhunuar avokatin nga Dritan Nano, 58 vjeç, i cili ishte klient i studios Ligjore “ALTERUM SHPK” të Sokol Mëngjesit. Nano ishte një prej 8 trashëgimtarëve të pronës në digën e Liqenit ku janë ndërtuar kullat nga biznesmeni Bashkim Ulaj.
Ai së bashku me trashëgimtarët e tjerë ka fituar gjyqin deri në apel, të asistuar nga avokat Mëngjesi, por më pas ai i vetëm ka refuzuar të paguajë detyrimet sipas kontratës.
Për këtë avokati ka hapur gjyq ndaj Nanos, proces që e ka fituar dhe përmbarimi ka bllokuar pronën, duke mos e lejuar që të vijojë shitja.
Një muaj më parë të dyja palët kanë pasur një takim por s’kanë gjetur dakordësi. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Nano ka angazhuar lidhjet e tij shoqërore, ndërsa në fund ka zgjedhur dhunën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.