Real Madrid ka fituar titullin e 15-të të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur Dortmundin 2-0 në finalen e Ëembley.
Dani Carvajal dhe Vinicius Junior kanë shënuar golat për triumfin e Real Madridit në finale e madhe të ‘Championsit’.
Florentino Perez ka thënë pas ndeshjes se Real Madridi ka një histori dashurie me Ligën e Kampionëve, por gjithsesi rëndësi ka vetëm skuadra.
“Të fitosh Ligën e Kampionëve nuk është e lehtë. Ka një histori dashurie që të gjithë e dinë mes klubit tonë dhe kësaj gare. Lojtarët janë të motivuar, rriten… Jemi mbajtës të denjë të 15-s”.
“Të gjithë kanë luajtur për të ndihmuar. Ndonjëherë Vinicius shënon, herë të tjera Joselu… Ajo që ka rëndësi është skuadra. Është një familje e madhe, prandaj ka shumë suksese, askush nuk është më protagonist”, tha Perez.
I pari i klubit madrilen ka frikësuar kundërshtarët, duke thënë se Reali do të kërkojë ta fitojë Ligën e Kampionëve për herë të 16 sezonin e ardhshëm.
“Kjo është pika fillestare për të fituar të 16-n sezonin e ri, kjo është historia e Madridit. Tifozët janë shumë të kënaqur me atë që kemi arritur dhe si e kemi arritur atë”.
“Ajo që duhet të bëjmë tani është ta festojmë. Është historia e këtij klubi, që tifozët do të na kërkojnë nesër të kthehemi vitin e ardhshëm dhe ta fitojmë sërish”, tha Perez.

Nga ana tjetër, Carlo Ancelotti e ka fituar për herë të pestë trofeun e Ligës së Kampionëve si trajner dhe hera e tretë që këtë e bënë me Real Madridin. Don Carlo e fitoi dy herë edhe si trajner i Milanit, derisa ka dy trofe të Ligës së Kampionëve të fituar sa ishte futbollist aktiv.
Italiani ka thënë se ka qenë një lojë shumë e vështirë dhe se është i lumtur për këtë triumf në finalen e Ligës së Kampionëve.
“Duket si një ëndërr, por nuk është një ëndërr. Jam vërtet i lumtur. Është një lojë vërtet e vështirë si zakonisht”, tha fillimisht Ancelotti.
64-vjeçari e pranon se në pjesën e parë ishin gjermanët që luajtën më mirë
“Ata luajtën më mirë në pjesën e parë, ne luajtëm më mirë në pjesën e dytë. Ne ishim në gjendje të fitonim dhe të shijonim një sezon fantastik. Jemi vërtet të lumtur që mund të fitojmë kupën”, vazhdoi më tej trajneri italian.
Ancelotti më pas vlerësoi atmosferën në klub dhe minimizoi vështirësinë e menaxhimit të një grupi kaq të talentuar lojtarësh.
“Historia dhe tradita e këtij klubi, cilësia e lojtarëve, klubi është një familje. Kemi një ambient fantastik. Atmosfera është shumë e mirë në dhomën e zhveshjes”.
“Më duhet të them faleminderit për klubin tim dhe gjithashtu lojtarët, nuk ka një ego të madhe, ata janë vërtet të përulur”.
“Nuk ishte e vështirë të menaxhosh këtë skuadër këtë sezon. Nuk e di se çfarë do të bëjmë, por me siguri nuk do të flemë”, tha Ancelotti pas finales së fituar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




