Nga Gazeta Si – Inteligjenca artificiale ka mbërritur edhe në spitalet shqiptare. Për herë të parë, në shërbimin e gastrohepatologjisë është futur një pajisje që do të ndihmojë në identifikimin e lezioneve malinje dhe atyre premalinje, pra kanceroze dhe prekanceroze në zorrën e trashë.
Adriana Babameto, shefe e Shërbimit të Gastro-Hepatologjisë në QSUT thotë për Gazetasi.al se ky është një sistem që ndihmon në rritjen e cilësisë së endoskopisë.
“Marrja e një pajisjeje të tillë për endoskopinë dhe konkretisht për kolonoskopinë është risi për shërbimin tonë, QSUT dhe në plan kombëtar”, thotë Babameto, duke shtuar se ky është një sistem që do ndihmojë mjekët në përmirësimin e ekzaminimit endroskopik nëpërmjet monitorimit të kohës endoskopike apo uljes që paqartësive endoskopike.

Gjithashtu, do përmirësojë edhe shkallën e detektimit të këtyre lezioneve dhe do përmirësojë sigurinë e diagnozës nëpërmjet biopsisë së targetuar të drejtuar dhe vlerësimit të thellësisë së shtrirjes së lezioneve malinje.
Thënë ndryshe, thotë mjekja, ky sistem do i ndihmojë specialistët që të përmirësojnë dhe të rrisin cilësinë e endoskopisë. Ndërkohë që specialistët do të bëjnë ekzaminimin, do kenë edhe ndihmën e inteligjencës artificiale.



“Ky ekzaminim do na japë mundësinë për të rritur cilësinë e këtij ekzaminimi kolonoskopik, pra ekzaminimit në fushën e tumoreve belinje por dhe detektimit të gjendjeve prekanceroze, duke bërë një ekzaminim sa më të shpejtë të problemeve me zorrën e trashë, duke pasur një impakt në planin klinik në drejtim të kujdesit dhe detektimit të diagnozës”, shpjegon mjekja.
Mjekja thotë se inteligjenca artificiale në kolonoskopi ka avancuar nëpërmjet studimeve të ndryshme në grupe të ndryshme pacientësh si dhe ka studime të shumta në vende të ndryshme të botës që kanë rezultuar pozitive.
Në javët e ardhshme do të ketë edhe trajnime për të gjithë mjekët endoskopist të shërbimit të cilët do e përdorin këtë pajisje.
A do i zëvendësojë mjekët kjo pajisje e AI?
Mjekja Babameto thotë se pajisja nuk punon në mënyrë të pavarur dhe si pasojë vetëm do jetë pranë si një observues sekondar përkrah mjekut specialist gastrohepatologjik dhe endroskopist.
“Është një pajisje shumë e vlefshme në duart e mjekut endoskopist profesionist por nuk zëvendëson mjekun”, thotë mjekja, e cila shton se punën e mjekut nuk e zëvendëson asgjë.
Rastet me kancer të zorrës së trashë janë shtuar frikshëm ndër vite
Në Shqipëri po rriten frikshëm shifrat e prekurve nga kanceri kolorektal apo i zorrës së trashë siç njihet ndryshe.
Sipas ekspertëve të shëndetit ka një dyfishim të rasteve të reja që diagnostikohen në vit. Madje po haset edhe në mosha të reja.
“Nga 300 raste që kapnim në vit para dhjetë vitesh, tanimë janë 560 raste të reja”, ka thënë më herët mjeku Alban Ylli.
Sipas një analize të ekspertit Ylli, ky kancer ka pësuar rritje të rëndësishme në vendin tonë në 10 vitet e fundit.
Sipas Yllit, ka një dyfishim të rasteve krahasuar me vitet e mëparshme. Ai shton se merr rëndësi fakti që edhe moshat 35-40 vjeç kanë filluar të preken nga kjo sëmundje.
“Incidenca e kancerit te zorrës se trashë është më e lartë te meshkujt, krahasuar me femrat, duke filluar nga mosha 50 vjeç. Incidenca është dukshëm me e madhe tek meshkujt në moshën 60-69 vjeç krahasuar me femrat. Kjo dukuri vërehet si në vendin tone ashtu edhe në botë”, shpjegon Ylli.
Eksperti, shpjegon se kanceri kolorektal lidhet me stilin e jetesës.
“Konsumimi i mishit të përpunuar, mishit të kuq , alkooli, duhani, mungesa e fibrave nëpër ushqime, mungesa e aktivitetit fizik, janë shkak i këtij kanceri”, ka thënë Ylli.
Edhe në botë, një në pesë raste të diagnostikuara ndodh tek njerëzit më të rinj se 55 vjeç, krahasuar me një në 10 raste në vitin 1995, sipas një studimi të publikuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit.
Studimi raporton se normat e kancerit të zorrës së trashë gjithashtu janë trefishuar në adoleshentët e moshës 15 deri në 19 vjeç në 20 vitet e fundit.
Studiuesit gjetën gjithashtu rritje te fëmijët e moshës 10 deri në 14 vjeç dhe të rinjtë e moshës 20 deri në 24 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



