Gazeta Si – Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz kërcënoi se do të tërhiqet nga kabineti qeverisës nëse kryeministri Benjamin Netanyahu nuk përcakton një plan të pasluftës në Rripin e Gazës.
Gantz vendosi afat 8 qershorin, ku qeveria duhet të ketë gati planin me 6 pika, ku të jetë i përfshirë fundi i sundimit të Hamasit në Gaza dhe krijimi i një administrate civile shumëkombëshe për territorin.
“Nëse e vendosni çështjen kombëtaren mbi atë personale, tek ne do të gjeni partnerë në luftë. Por nëse zgjidhni rrugën e fanatikëve dhe e çoni të gjithë kombin në humnerë, ne do të detyrohemi të largohemi nga qeveria”, tha ministri.
Pjesë tjetër e planit sipas Gantz duhet të jetë lirimi i të gjitha pengjeve dhe rikthimi i izraelitëve në banesa, në pjesën veriore të vendit, të larguar prej 7 tetorit.
Deklarata e Gantz erdhi vetëm disa ditë pasi një tjetër anëtar i kabinetit të luftës, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, i kërkoi Netanyahut të deklaronte publikisht se Izraeli nuk kishte një plan për të marrë përsipër sundimin civil dhe ushtarak në Gaza.
Në një reagim për këtë çështje, kryeministri Netanjahu shprehu habinë e tij sesi Gantz i jep ultimatume atij dhe jo militantëve të Hamasit.
Duke iu përgjigjur fjalimit, Netanyahu tha se përmbushja e kërkesave të Gantz do të çonte në fundin e luftës dhe një disfatë për Izraelin, braktisjen e shumicës së pengjeve, lënien e Hamasit të paprekur dhe krijimin e një shteti palestinez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




