Nga Gazeta Si- Duke filluar nga ora 19:00, në “Air Albania” do të nisë finalja e edicionit të 72-të të Kupës së Shqipërisë, midis Kukësit dhe Egnatias.
Kukësi dhe Egnatia do të kërkojnë mbrëmjen e sotme trofeun e Kupës së 72-të të Shqipërisë. Rrogozhinasit, mbajtësit e trofeut të edicionit të shkuar, por dhe kryesues të kampionatit klasik pas 36 javësh, do të ndeshen me surprizën e këtij edicioni në këtë kompeticion.
Verilindorët, pas 36 javësh që u pozicionuan në vendin e fundit dhe edicionin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë, duke u rikthyer nga erdhën pas 12 vitesh, do të kenë mundësinë për të mbyllur sezonin me trofe, por dhe për të marrë një biletë për në Kupat e Europës.
Skuadrës së Bledar Devollit nuk i mungon eksperienca, pasi kjo është hera e pestë që arrin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në dy raste kuksianët e kanë ngritur lart trofeun në dekadën e fundit.
Egnatia në krahun tjetër numëron vetëm suksesin e vitit të shkuar. Për Kukësin, Egnatia ka qenë “macja e zezë” këtë edicion, pasi në katër ndeshjet e kampionatit të besuarit e Edlir Tetovës kanë marrë maksimumin e pikëve.
Plot 11 gola të shënuar për rrogozhinasit dhe vetëm dy për verilindorët, të cilët duan të fitojnë ndeshjen që vlen më tepër se takimet e kampionatit për ta.
Egnatia në rrugën e saj ka eliminuar Vllazninë dhe Laçin, ndërsa në krahun tjetër Kukësi ka larguar nga gara dy ekipet e kryeqytetit, Partizanin dhe Tiranën.
Pa dyshim, nisur nga paraqitjet në kampionat, arritja e kuksianëve në finale ka qenë një surprizë dhe, ndonëse në kampionat u dorëzua pa kushte, në Kupë është vetëm 1 ndeshje larg trofeut dhe Europës.
Rrogozhinasit nuk kanë asgjë të sigurt në kampionat dhe ndaj duan me patjetër që të marrin Kupën, që së paku një trofe ta çojnë në shtëpi. Ndaj Egnatia pa dyshim futet në fushë me petkun e favoritit, por në një ndeshje të vetme gjithçka mund të ndodhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.