Nga Gazeta ‘SI’ – 94.8% e shqiptarëve posedojnë një banesë, duke u renditur në vendin e dytë në Europë për pronësinë.
Shifrat e publikuara nga Eurostat, tregojnë se vendin e parë e mbajnë maqedonasit me 96.3% e të cilëve që kanë një shpi në pronësinë e tyre. Këto shifra janë shumë më të larta sesa mesatarja europiane, ku mesatarisht 70% kanë shtëpitë e tyre.
Por, të njëjtat statistika tregojnë se banesat e shqiptarëve nuk kanë shumë hapësirë. Njësoj dhe për familjet maqedonase.

Numri mesatar i dhomave për një individ është 0.9, më i ulëti në Europë, së bashku me Malin e Zi, nga 1.6 që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Në tërësi, të gjitha vendet e Ballkanit, tregojnë norma më të larta të pronësisë së shtëpive, megjithëse shumë shtëpi janë të mbipopulluara.
Zvicra dhe Gjermania, kanë norma të larta qiramarrjeje, me më shumë se gjysmën e popullsisë së tyre, që marrin shtëpi me qira. Në Gjermani, përqindja e qiramarrësve tejkaloi 50% në vitin 2022, duke e bërë atë të vetmin vend midis vendeve të BE-së. Zvicra, duke u bazuar në të dhënat e Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), Mbretëria e Bashkuar dhe vendet kandidate, kishte përqindjen më të lartë të qiramarrësve, me 57.7%.
Kriza e strehimit, është një shqetësim në rritje në të gjithë Europën, e karakterizuar nga mungesa dhe rritja e qirave. Përafërsisht 70% e banorëve të BE-së, i zotërojnë shtëpitë e tyre, ndërsa pjesa tjetër, 30%, i marrin me qira. Rreth 17% e popullsisë së BE-sëm jeton në kushte të mbipopullimit të shtëpive.
Në tetë nga 36 vendet europiane, më shumë se 90% e popullsisë, jetonte në shtëpitë e tyre në vitin 2022, sipas Eurostat.
Më herët, një raport i BERZH e rendiste vendi tonë të parin në listën për pronësinë. Kjo sepse sipas BERZH, Shqipëria bën pjesën në grupin e “sistemit dualist” ku banesa/prona vlerësohet si pasuri dhe ka prioritet posedimin e një shtëpie.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




