Bota

Cameron: Ukraina ka të drejtë të godasë territorin rus me armët britanike

Që nga fillimi i luftës, partnerët perëndimorë të Ukrainës i kishin vënë kusht Kievit që nëse ndihma ushtarake të vazhdojë të vijë – të mos godasë Rusinë.

Ukraina ka “të drejtë” të përdorë armët e furnizuara nga Britania për të goditur Rusinë brenda territorit të saj, tha Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, gjatë një vizite në Kiev.

Në një intervistë me Reuters, Cameron tha se i takon Ukrainës të vendosë se si përdoren armët e marra nga Mbretëria e Bashkuar.

I pyetur nëse kjo përfshin objektiva brenda territorit rus, ai tha: “Ukraina e ka këtë të drejtë. Ashtu siç Rusia po godet Ukrainën, mund ta kuptoni plotësisht pse Ukraina e ka të nevojshme për t’u mbrojtur”.

Që nga fillimi i luftës, partnerët perëndimorë të Ukrainës i kishin vënë kusht Kievit që nëse ndihma ushtarake të vazhdojë të vijë – të mos godasë Rusinë. Por vendet, duke përfshirë Finlandën dhe Letoninë, kanë thënë që atëherë se mbështesin të drejtën e Ukrainës për të përdorur armët që ata ia kanë siguruar për t’u mbrojtur, për të sulmuar në Rusi.

Ish-kryeministri britanik Cameron, i cili u kthye në politikë në fund të vitit të kaluar, foli për udhëtimin e tij të dytë në Kiev që nga marrja e detyrës.

Vizita e tij erdhi një javë pasi Britania e Madhe njoftoi paketën e saj më të madhe të ndihmës ushtarake për Ukrainën. Më parë, Cameron premtoi edhe 3 miliardë paund ndihma ushtarake vjetore për Ukrainën për “për aq kohë sa t’i duhen”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi Cameron për mbështetjen në takimin e tij me diplomatin britanik.

Por ai theksoi rëndësinë e dërgimit të armëve nga paketa e re e ndihmës në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë