Qeveria e Gjermanisë synon të rifillojë së shpejti bashkëpunimin me agjencinë e Kombeve të Bashkuara për palestinezët (UNRWA) në Rripin e Gazës, thanë të mërkurën zyrtarët e lartë gjermanë.
Ky vendim vjen pas një hetimi nga ish-ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, për të mësuar nëse disa punëtorë të UNRWA ishin përfshirë në sulmin kundër Izraelit më 7 tetor nga Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Hetimi i udhëhequr nga Colonna për neutralitetin e kësaj agjencie gjeti të hënën se Izraeli ende nuk ka qenë në gjendje të ofrojë prova për akuzat që i bëri se qindra punëtorë të UNRWA ishin operativë të Hamasit në Gazë.
Dy ministra gjermanë, i Punëve të Jashtme dhe i Zhvillimit, i bënë thirrje UNRWA-së t’i zbatojë shpejt rekomandimet e raportit, përfshirë forcimin e auditorit të brendshëm dhe përmirësimin e mbikëqyrjes së jashtme të menaxhmentit të projektit.
“Në mbështetje të këtyre reformave, Qeveria gjermane së shpejti do ta vazhdojë bashkëpunimin me UNRWA në Gazë, siç kanë bërë tashmë Australia, Kanadaja, Suedia dhe Japonia”, thanë ministrat gjermanë.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, e njohur si UNRWA, punëson mijëra persona dhe ofron ndihmë dhe shërbime jetike për miliona njerëz në gjithë Lindjen e Mesme.
Në Gazë, kjo organizatë ka qenë kryesorja që ka ofruar ushqim dhe ka siguruar strehim për civilët, gjatë luftës Izrael-Hamas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




