Gazeta Si – Shefi i inteligjencës ushtarake izraelite, Aharon Haliva dha dorëheqjen të hënën në lidhje me “dështimin” e shërbimit të inteligjencës për të parandaluar ose kufizuar sulmin nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Gjenerali Haliva është komandanti i parë i ushtrisë që jep dorëheqjen pas sulmeve që shkaktuan mbi 1200 vdekje në Izraeli, kryesisht civilë dhe mbi 250 pengje.
Një javë pas sulmeve të 7 tetorit, kur militantët e Hamasit mposhtën lehtësisht mbrojtjen izraelite dhe depërtuan në brendësi të vendit, gjenerali Haliva kishte marrë përgjegjësitë e tij: “Ne nuk e përfunduam misionin tonë, unë marr përgjegjësinë për dështimin”.
Sipas shtypit izraelit, dorëheqja e Halivës mund të pasohet nga ndryshime të tjera në udhëheqjen ushtarake.
Më 7 tetor, gjatë dhe pas sulmit, forcat e inteligjencës dhe sigurisë izraelite u treguan jashtëzakonisht të papërgatitura dhe kjo ishte një nga arsyet kryesore për suksesin e masakrës së civilëve izraelitë të kryer nga Hamasi.
Izraeli ka në dispozicion sistemin e inteligjencës më të fortë dhe të mirë-financuar në Lindjen e Mesme, i cili përfshin Shin Bet, shërbimet sekrete të brendshme, Mossad, një agjenci inteligjence që merret me “armiqtë” e jashtëm dhe shërbimet e inteligjencës ushtarake.
Në të kaluarën, qeveria izraelite kishte qenë në gjendje të monitoronte me njëfarë efektiviteti lëvizjet e Hamasit dhe forcave të tjera që kërcënonin sigurinë e tij, duke nisur operacione parandaluese të synuara dhe të përgjakshme.
Megjithatë, në rastin e sulmeve të 7 tetorit, ajo nuk ishte në gjendje të përgjonte ndonjë informacion mbi përgatitjen thelbësore të nevojshme për sulmin.
Për më tepër, sipas një artikulli të dhjetorit të “New York Times”, inteligjenca izraelite kishte marrë një plan-lufte të Hamasit për sulmin e 7 tetorit më shumë se një vit përpara se të ndodhte agresioni, por e kishte anashkaluar atë, sepse besonte se grupi radikal nuk ishte në gjendje të kryente një operacion të tillë ushtarak kompleks dhe masiv.
Haliva është 56 vjeç dhe ka qenë drejtor i shërbimeve të inteligjencës ushtarake, shpesh shkurtuar si AMAN, që nga tetori i vitit 2021, pas një karriere të gjatë në ushtri që filloi në vitin 1985.
Në letrën e dorëheqjes, siç raportojnë mediat izraelite, Haliva ka shkruar se inteligjenca ushtarake nuk e kreu detyrën që i ishte besuar: “Gjatë kohëzgjatjes së detyrës sime, e dija se autoriteti im shoqërohej me përgjegjësi të rënda”.
Haliva sugjeroi që të krijohej një komision shtetëror hetimor për të identifikuar “në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse të gjitha faktet dhe rrethanat që çuan në ngjarjet komplekse” të 7 tetorit. Dorëheqja u pranua nga ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




