Bota

Mijëra qytetarë izraelitë në protestë: Kërkohen zgjedhje të reja

Mijëra qytetarë izraelitë dolën në rrugë për të kërkuar zgjedhje të reja dhe për të kërkuar më shumë veprime nga qeveria për të sjellë pengjet e mbajtura në Gaza në shtëpi, në raundin e fundit të protestave kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Protestat kanë vazhduar ndërsa lufta në Gaza po kalon muajin e saj të shtatë dhe në mes të zemërimit në rritje për qasjen e qeverisë ndaj 133 pengjeve izraelitë që ende mbahen nga lëvizja islamike Hamas.

Sondazhet tregojnë se shumica e izraelitëve fajësojnë Netanyahun për dështimet që çuan në sulmin shkatërrues nga luftëtarët e Hamasit ndaj popullsisë në Izraelin jugor më 7 tetor.

Kryeministri më jetëgjatë i Izraelit ka përjashtuar në mënyrë të përsëritur zgjedhjet e parakohshme, të cilat sondazhet sugjerojnë se ai do t'i humbiste, duke thënë se të shkosh në qendrat e votimit në mes të një lufte vetëm do ta shpërblente Hamasin.

"Ne jemi këtu për të protestuar kundër kësaj qeverie që vazhdon të na tërheq zvarrë, muaj pas muaji; përpara 7 tetorit, pas 7 tetorit," tha Yalon Pikman, 58 vjeç, i cili mori pjesë në marshimin në Tel Aviv.

Disa persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi morën peng 253 persona gjatë sulmit të 7 tetorit dhe u vranë rreth 1200 të tjërë, sipas të dhënave izraelite. Disa pengje u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, por përpjekjet për të siguruar një marrëveshje tjetër duket se kanë ngecur.

Netanyahu është zotuar të vazhdojë fushatën izraelite në Gaza, për të cilën autoritetet lokale shëndetësore thonë se ka vrarë më shumë se 34 mijë palestinezë, derisa të gjithë pengjet të kthehen në shtëpi dhe Hamasi të jetë shkatërruar.

Sulmi i javës së kaluar ndaj Izraelit nga valët e dronëve dhe raketave iraniane zhvendosi vëmendjen nga konflikti në Gaza dhe për shumë të afërm të pengjeve të mbetura ka një ndjenjë në rritje se koha po mbaron.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë