Bota

Planifikonte atentat kundër presidentit Zelenski, arrestohet polaku

Një person i dyshuar që ka ndihmuar shërbimet e inteligjencës ruse për të vrarë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, është arrestuar në Poloni.

Shtetasi polak, i quajtur Pawel K, dyshohet se ka i dhënë informacione sensitive inteligjencës ushtarake ruse që të planifikojnë një tentativë për vrasjen e presidentit ukrainas, deklaruan prokurorët polakë.

Prokurorët thanë se i dyshuari kishte deklaruar se ishte “i gatshëm të vepronte në emër të shërbimeve të inteligjencës ushtarake të Federatës Ruse dhe të vendosë kontakte me shtetas rusë të përfshirë drejtpërdrejt në luftën në Ukrainë”.

Arrestimi i shtetasit polak, erdhi si fryt i bashkëpunimit midis prokurorëve ukrainas me ato polakë.

Sekretet e sigurisë së aeroportit

Kryeprokurori i Ukrainës, Andriy Kostin, tha se i dyshuari ishte ngarkuar me "mbledhjen dhe transmetimin e informacionit të shtetit agresor në lidhje me sigurinë në aeroportin Rzeszow-Jasionka" në Poloninë juglindore.

Zelensky kalon shpesh nëpër aeroport gjatë udhëtimeve të tij jashtë vendit. Ai përdoret gjithashtu nga zyrtarë të huaj dhe autokolona ndihmash që shkojnë në Ukrainë.

I dyshuari është në paraburgim në pritje të procedurave gjyqësore, thanë prokurorët e dy vendeve.

“Ky rast nënvizon kërcënimin e vazhdueshëm që Rusia paraqet jo vetëm për Ukrainën dhe ukrainasit, por për të gjithë botën e lirë”, shkroi Kostin në median sociale X.

"Regjimi kriminal i Kremlinit... organizon dhe kryen operacione sabotuese në territorin e shteteve të tjera sovrane".

Radoslaw Sikorski, ministri i jashtëm polak, vlerësoi punën e shërbimeve speciale dhe prokurorëve të vendit të tij, si dhe bashkëpunimin e tyre me Ukrainën.

Varshava ka qenë një nga mbështetësit më të vendosur të Kievit që nga pushtimi rus në shkurt 2022, megjithëse lidhjet janë prishur kohët e fundit në një mosmarrëveshje mbi importet bujqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë