Gazeta Si- Kërcënimet e Iranit ndaj Izraelit po rezonojnë sërish pas sulmit në Damask. “Regjimi i keq i Izraelit, i cili gaboi duke sulmuar ambientet e konsullatës iraniane në Damask, do të ndëshkohet patjetër, sepse ambientet diplomatike të vendeve në mbarë botën konsiderohen si territor i atyre vendeve dhe sulmi izraelit ishte në fakt një sulm kundër territorit iranian”.
Lideri Suprem i Iranit, Ali Khamenei, e ka përsëritur këtë deklaratë edhe sot gjatë namazit të Fiter Bajramit. Khamenei tha se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza i kishte “acaruar” myslimanët dhe akuzoi shtetin hebre për vrasjen e 30,000 të pafajshmëve në Gaza.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 33,000 njerëz në Rripin janë vrarë në luftimet deri më tani, një shifër që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur dhe që përfshin si luftëtarë ashtu edhe civilë.
Izraeli ka konfirmuar se ka vrarë më shumë se 13,000 njerëz të armatosur nga Hamasi ose të lidhur me lëvizjen ekstremiste palestineze në betejë.
“Shtetet perëndimore, në veçanti qeveritë tiranike dhe arrogante të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, kanë ofruar gjithmonë çdo lloj mbështetjeje dhe ndihme për regjimin uzurpues sionist, madje edhe në organet ndërkombëtare, – shtoi Khamenei, i cituar nga televizioni shtetëror. – Edhe këtë herë ata mbështetën regjimin gjatë luftës së Gazës dhe nuk kontribuan në mënyrë praktike për t’i dhënë fund katastrofës në enklavë”.
“Në të vërtetë, që nga fillimi i luftës në Gaza, perëndimorët i kanë treguar botës natyrën e ligë të qytetërimit perëndimor, që është në kundërshtim me moralin, – vazhdoi ai. – Ata nuk arritën të merren me grupet e rezistencës, kështu që ata iu drejtuan vrasjes. të njerëzve në Gaza, pavarësisht të gjitha pretendimeve të tyre si mbrojtës të të drejtave të njeriut”.
Por ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz u kundërpërgjigj sot në një intervistë për radion publike “Reshet Bet”, se Izraeli do të reagojë ndaj një sulmi të mundshëm nga Irani, i cili ka kërcënuar me hakmarrje pas sulmit ajror izraelit në një ndërtesë të konsullatës iraniane në Damask, në të cilën shtatë oficerë të Gardës Revolucionare u vranë.
“Absolutisht, ne do të hakmerremi në Iran, tha Katz. – Nëse Irani do të sulmonte Izraelin, ne do të përgjigjeshim ndaj Iranit, sepse nuk do të tolerojmë asnjë sulm të tillë për shkak të përgjegjësisë tonë ndaj qytetarëve tanë… Në fund të fundit, Irani është koka e gjarprit”, komentoi ministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




