Bota

Skandal diplomatik Ekuador-Meksikë pas bastisjes së policisë në Kuito në ambasadën meksikane

Gazeta Si – Skandal i paprecedentë diplomatik për një ambasadë të dhunuar në Kuito të Ekuadorit, me pasoja që arrijnë deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Natën e së premtes dhe të shtunës, forcat policore ekuadoriane, me urdhër të presidentit Daniel Noboa, bastisën selinë diplomatike të Meksikës, ku ish-zëvendëspresidenti Jorge Glas ishte strehuar që nga dhjetori.

I dënuar për korrupsion, Glas kishte marrë zyrtarisht azil politik ditët e fundit. Agjentët kapën politikanin 54-vjeçar, i cili tashmë është i mbyllur në një burg të sigurisë maksimale.

Meksika ndërpreu menjëherë marrëdhëniet diplomatike me Ekuadorin dhe presidenti Andres Manuel Lopez Obrador denoncoi “shkeljen flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të Meksikës”.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i komunitetit ndërkombëtar. Departamenti Amerikan i Shtetit, dënoi shkeljen e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se ishte “i alarmuar” dhe përsëriti “parimin kardinal të paprekshmërisë së objekteve dhe personelit diplomatik dhe konsullor”.

Vendet e Amerikës Latine, nga Brazili në Argjentinë, gjithashtu morën anën e Meksikës, ndërsa Nikaragua ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Ekuadorin.

Ministrja e Jashtme meksikane, Alicia Barcena, shkroi në “X” se disa diplomatë u plagosën gjatë bastisjes, duke njoftuar se do ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për shkelje të Konventës së Vjenës.

“Vendimi i presidentit u mor për shkak të rrezikut real të arratisjes së menjëhershme të një qytetari që duhej të ishte gjykuar”, tha ministrja e Jashtme e Ekuadorit, Gabriela Sommerfeld.

Në realitet, tensioni midis Ekuadorit dhe Meksikës ishte rritur prej ditësh. Veçanërisht, pasi Lopez Obrador kishte vënë në dyshim transparencën e zgjedhjeve presidenciale të fituara nga Daniel Noboa, “në një mënyrë shumë të çuditshme”, në fund të një fushate elektorale të njollosur nga disa episode të dhunshme, duke përfshirë vrasjen e kandidatit Fernando Villavicencio, gushtin e kaluar.

Vrasësit e arrestuar pas vrasjes humbën jetën më vonë pasi u varën në burg në rrethana të paqarta. Pas këtyre deklaratave, ambasadori meksikan në Kuito u shpall “person non grata”. Glas kreu pesë vjet burg për korrupsion dhe komplot përpara se të lirohej në fund të vitit 2022.

Në dhjetor 2023, ai u dënua me gjashtë vjet të tjera burg në një rast korrupsioni që përfshin kompaninë braziliane të ndërtimit “Odebrecht”. Më pas, ish-zëvendëspresidenti u strehua në ambasadën meksikane, e cila më 5 prill i dha atij azil politik.

Ai ishte për një kohë të gjatë krahu i djathtë i ish-presidentit të krahut të majtë Rafael Correa, i mërguar në Belgjikë dhe i dënuar për korrupsion në arrati.

Verën e kaluar, liberali Daniel Noboa, djali i njeriut më të pasur në Ekuador, mundi në zgjedhje Luisa González, trashëgimtare e të majtës “correista”.

Për të luftuar përhapjen e krimit të organizuar, në janar ai e shpalli vendin në një “gjendje konflikti të armatosur të brendshëm” dhe përcaktoi rreth njëzet banda të trafikut të drogës si “grupe terroriste”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë