Gazeta Si – Ish-presidenti Donald Trump vijon të jetë i pakënaqur me proceset gjyqësore të hapura ndaj tij, duke e krahasuar veten me Nelson Mandelën.
Në një postim në rrjetin social, Truth, ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë akuzoi gjykatësin Juan Merchan se ka shkelur të drejtat e tij dhe pikërisht Amendamentin e Parë.
“Nëse duan të më fusin në burg se kam thënë të vërtetën, atëherë unë do të bëhem një Nelson Mandela i ditëve të sotme. Ne duhet ta shpëtojmë vendin nga këta zyrtarë politikë të maskuar si gjyqtarë dhe unë jam i gatshëm të heq dorë nga liria ime për këtë kauzë ”, shkruan ish-presidenti amerikan.
Trump i referohet në këtë mënyrë urdhrit të vendosur ndaj tij nga gjyqtari për të mos sulmuar dëshmitarët dhe anëtarët e jurisë në gjyqin për paratë e dhëna për yllin e filmave për të rritur, i cili është planifikuar të nisë më 15 prill.
Sa i përket fushatës, Donald Trump mblodhi rreth 50.5 milionë dollarë në një event të organizuar nga miliarderi i fondit mbrojtës John Paulson në Florida. Shifra është pothuajse dyfishi i 26 milionëve të mbledhura nga Joe Biden me Bill Clinton dhe Barack Obama.
“Është më e qartë se kurrë dhe ne kemi mesazhin, operacionet dhe paratë për ta shtyrë Presidentin Trump drejt fitores më 5 nëntor”, deklarojnë drejtuesit e fushatës së Trump.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




