Bota

Izraeli thotë se do të hapë rrugë të reja për lejimin e ndihmave në Gazë

Izraeli ka thënë të premten se do t’i hapë dy pika kufitare me Gazën, për ta mundësuar rritjen e hyrjes së ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.

Pikëkalimi Erez Gate në veri të Gazës do të rihapet përkohësisht për herë të parë prej se filloi lufta. Do të hapet edhe Porti i Ashdodit për të lejuar futjen e ndihmave humanitare.

Ndërsa, do të lejohet futja e më shumë ndihmave humanitare nga Jordania përmes pikëkalimit Kerem Shalom.

Gjatë një takimi të kabinetit të sigurisë të enjten vonë u miratuan hapat e menjëhershëm për rritjen e ndihmave humanitare për popullsinë civile në Rripin e Gazës, tha zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Vendimi i Qeverisë izraelite vjen pak orë pas një bisedime telefonike mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan, Joe Biden.

Gjatë bisedës me Netanyahun të enjten vonë, Biden kërkoi hapa “specifikë dhe konkretë” për ta zbutur krizën humanitare në Gazë, duke thënë se ndihma amerikane për Izraelin do të kushtëzohet nëse ky i fundit nuk përgjigjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë