Futboll

Disiplina pezullon 6 muaj Redi Jupin, 30 ditë afat Tiranës për çështjen ‘Shehi’

Gazeta Si – Në morinë e vendimeve të marra nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF, përveç gjobave të zakonshme, binin në sy çështje të tjera. E para pezullimi me 6 muaj i Redi Jupit, ish-lojtar i Kombëtares dhe tani drejtues i një akademie, dhe e dyta afati që i jepet Tiranës për çështjen ‘Shehi’.

Redi Jupi është pezulluar 6 muaj, sepse ‘Football Republic’ që ai drejton, ka aktivizuar në një ndeshje një lojtar, që nuk kishte të drejtë të luante.

Tirana ka marrë një paraljamërim nga Disiplina, që brenda 30 ditësh duhet të ekzekutojë një vendim të mëparshëm në lidhje me ish-trajnerin e saj Orges Shehi. Ky i fundit, tani trajner i Partizanit, fitoi gjyqin ndaj Tiranës dhe duket se ende nuk është shlyer prej saj.

Disa nga vendimet kryesore të Disiplinës dhe Etikës:
Laçi, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë 100.000 lekë. Zyrtari i Laçit, Mario Bytyçi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, dënohet me 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushë, dënohet me gjobë në masën 100.000 lekë.

Elbasani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke fyer lojtarët e ekipit mik në mënyrë të përsëritur, si dhe hedhje sendesh në fushë, dënohet me gjobë në masën 200.000 lekë dhe zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë.

Zyrtari i ‘Football Republic’, Redi Jupi, për aktivizimin e një lojtari që nuk kishte të drejtë të luante, dënohet me 6 muaj pezullim nga aktiviteti.

Pranimin e kërkesës së Orges Shehit. Klubi i Futbollit Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 9, datë 14.12.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, i jepet një afat paralajmërues prej 30 ditësh për të ekzekutuar vendimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë