Bota

Kremlini ndez ‘luftën’: Rusi-Nato janë në nivelin e një konfrontimi të drejtpërdrejtë

Gazeta Si – Zëdhënësi i Vladimir Putinit në Kremlin, Dmitri Peskov, deklaroi se “në fakt” “marrëdhëniet” midis Rusisë dhe NATO-s “tashmë kanë rënë në nivelin e konfrontimit të drejtpërdrejtë”. Kështu raporton këtë të enjte agjencia shtetërore e lajmeve, “Tass”.

“Në fakt, – vazhdoi Peskov, – vendet e NATO-s, vetë Aleanca, tashmë janë përfshirë në konfliktin në Ukrainë. NATO vazhdon lëvizjen e saj drejt kufijve tanë, zgjerimin e infrastrukturës së saj ushtarake drejt kufijve tanë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve.

Deklarata e Peskovit, vjen pikërisht në ditën e 75-vjetorit të themelimit të Aleancës Atlantike të Veriut.

Ministrat e Jashtëm të 32 aleatëve të NATO-s do të mblidhen për dy ditë dhe, megjithëse do të ketë shumë bisedime për forcimin e aleancës, takimi i ministrave do të jetë i pari me Suedinë si anëtare me të drejta të plota.

Ky takim dyditor vjen gati saktësisht tre muaj para një samiti vendimtar të NATO-s në Uashington D.C. në korrik të këtij viti.

Më herët, 4 persona janë vrarë dhe 12 të tjerë janë plagosur nga një sulm rus me dron në qytetin ukrainas Harkiv, thanë autoritetet lokale të enjten.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se 20 dronë e sulmuan vendin gjatë natës mes 3 dhe 4 prillit dhe se 11 prej tyre u penguan nga forcat kundërajrore.

Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, shkroi në Telegram se njëri nga ta vrarët ishte banor i një ndërtese 14-kateshe, e cila u godit nga një dron, ndërsa tre të tjerët ishin punëtorë të ekipeve të shpëtimit që u vranë në vendin e ngjarjes nga sulmi i dytë.

Raportohet se tre ambulanca u dëmtuan në sulmin e Harkivit. Policia raportoi sulme me dronë në qytetet e rajonit të Harkivit, Lozova dhe Zmiv, ku u dëmtuan ndërtesa banimi dhe vetura. Nuk u raportua për viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë