Analize

Si të parandalojmë që teknologjia të na çojë drejt anarkisë

Shoqëritë e lira do të duhet të vendosin një ekuilibër midis lirisë dhe kontrollit. Është e vështirë, por edhe shumë urgjente

Nga William Hague- Duke qenë një e Premte e Mirë me shi, fillova të lexoja një libër të ri “Gjenerata e Ankthit” e Jonathan Haidt. Por edhe kur pushoi shiu, vazhdova dhe e lexova deri në fund shpjegimin e tij mbresëlënës dhe krejtësisht bindës se fëmijët kanë qenë “të tej-mbrojtur në botën reale dhe të nën-mbrojtur në botën virtuale”, duke çuar drejt një epidemie të sëmundjeve mendore në grupmoshën që sot e quajmë Brezi Z.

Haidt tregon se ndonëse teknologjitë më të fundit si interneti, aplikacionet dhe telefonat celularë i kanë sjellë botës përfitime të jashtëzakonshme, keqpërdorimi i tyre nga kompanitë e teknologjisë për të zhvilluar produkte që i bëjnë të rinjtë të varur, duke dëmtuar shumë jetën e tyre sociale, duke i privuar nga gjumi dhe dobësuar përqëndrimin e tyre, ka shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm.

Zgjidhjet e tij janë të qarta: jo telefona inteligjentë para moshës 11 vjeçare; jo qasje në mediat sociale para moshës 16-vjeçare; në shkolla nuk duhet të lejohet përdorimi i saj; dhe shumë më tepër lojëra të pambikëqyrura dhe pavarësi të fëmijëve. Unë dyshoj se nuk do të kalojnë shumë muaj që propozime të tilla të bëhen të zakonshme.

Shteti i Floridës në SHBA po planifikon që të ndalojë qasjen tek mediat sociale deri në moshën 14 vjeçare. Partitë tona politike duhet t’i analizojnë propozimet e Haidt për t’i përfshirë në manifestet e tyre elektorale. Por kjo çështje nuk është e rëndësishme vetëm në vetvete.

Ajo është një pararojë e shumë çështjeve të tjera të ngjashme që po na shqetësojnë, duke na vendosur përpara një zgjedhje të papëlqyeshme midis lejimit të abuzimit me lirinë nga njëra anë apo dhënies së më shumë pushteteve qeverive autoritare nga ana tjetër.

Gjetja e një rruge të qartë midis kësaj dileme, pa denoncuar dhe pa u shprehur kundër një “shteti dado” pas çdo lloj kufizimi të arsyeshëm, por pa kaluar as në autoritarizëm, do të jetë një sfidë qendrore për udhëheqësit  politikë gjatë dekadës së ardhshme. Janë të paktën 4 leksionet që nxjerrim nga dëmet që u janë shkaktuar të rinjve.

Së pari është se ky dëm ka ndodhur shumë shpejt, pra brenda një dekade. Që kur u bënë të kudogjendura telefonat inteligjentë dhe aplikacionet e mediave sociale, shëndeti mendor dhe zakonet sociale të adoleshentëve kanë ndryshuar përtej njohjes.

Së dyti për sikletin e atyre që mbrojnë rregullisht sipërmarrjen e lirë, ky ishte rezultat i një eksperimenti të gjerë me trurin e dhjetëra miliona të rinjve nga korporatat, të cilat zbuluan se si mund të shfrytëzoheshin ata për përfitime financiare.

Së treti, qeveritë kanë qenë të kujdesshme në lidhje me reagimin e tepruar, duke qenë  ngurrues për të ndërhyrë kundër zakoneve personale thuajse universale dhe bizneseve pararojë. Dhe së katërti, Kina ka vepruar tashmë duke ndaluar algoritmet e varësisë në mediat sociale që kërkojnë vëmendjen dhe kohën e përdoruesit.

Për regjimet totalitare, veprimi korrigjues është i lehtë. Sepse kufizimi i lirisë është diçka që ata e bëjnë çdo ditë. Por për perëndimorët liridashës, e gjithë kjo do të jetë shumë e vështirë. Përhapja e shpejtë e teknologjive të reja, nënkupton që duhet të gjejmë një ekuilibër të ri midis lirisë dhe autoritetit, dhe madje shumë shpejt.

Muajin e kaluar, një zyrtar i lartë i anti-terrorit paralajmëroi se shumë më tepër fëmijë dhe të rinj po radikalizohen në internet, pasi kanë kaluar periudha të gjata në internet gjatë pandemisë së Covid-19. Një rast i tillë, 20-vjeçari Jacob Graham, sapo është burgosur pasi ka marrë nga rrjeti materiale për prodhimin e bombave artizanale, bashkë me një manual për një armë të printuar në 3D. Ai pohoi në polici se donte të vriste të paktën 50 politikanë.

Teknologjia po sjell një decentralizim dramatik të pushtetit. Sot një individ i vetëm mund të fitojë qasje tek njohuritë dhe aftësitë, të cilat më parë mund të ishin mbledhur vetëm nga një organizatë e rëndësishme. Nëse lejojmë që kjo prirje të vazhdojë pa asnjë kontroll, atëherë do të përballemi me prishjen e rendit dhe shoqërisë.

Por nëse vendosim që përgjigja të jetë gjurmimi i lëvizjes së njerëzve, tiparet e fytyrës dhe përdorimin e telefonit të çdo personi në vend për të ndalur rreziqe të tilla, atëherë do të bëhemi si Kina komuniste. Kjo është edhe dilema qendrore e shpjeguar në librin tjetër që  duhet të kërkohet të lexohet nga politikë-bërësit gjatë pushimit të tyre të Pashkëve: “Dallga që po vjen” nga Mustafa Sulejman. Një bashkëthemelues i DeepMind, kompania lidere që po ndihmon Microsoft-in në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të Inteligjencës Artificiale, ai argumenton se vala e re e teknologjive do të tronditë themelet e kombeve demokratike.

Diktatorët, thotë ai, mund të kenë një jetë shumë më të lehtë. Zakonisht ata kanë dështuar sepse u mungonte fuqia dhe të dhënat për të kontrolluar njëherazi një popullsi të madhe. Por tani po bëhet e mundur mbikëqyrja e të gjitha zakoneve, lëvizjeve, blerjeve, madje edhe mendimeve tani. Nga ana tjetër shoqëritë e lira do të duhet të “ecin në një shteg të rrezikshëm midis katastrofës dhe distopisë… dhe kjo është dilema thelbësore e epokës sonë”.

Në histori nuk është e pazakontë që teknologjitë e reja të sjellin periudha të gjata anarkie. Periudha e Mesjetës kur baronët e fuqishëm ndërtuan kështjella guri të pathyeshme, solli luftëra të shpeshta civile, ndërsa mbretërit përpiqeshin të ushtronin autoritetin e tyre.

Shpikja e shtypshkronjës, solli një përmbysje te ideve fetare dhe dekada të luftës dhe kaosit në të gjithë Evropën në shekujt XVI-XVII. Sulejman argumenton se shteti modern mund të jetë i paaftë për të përmbajtur efektet e përparimeve të sotme, të cilat do të zhvillohen shumë më shpejt dhe në mënyrë universale.

Të gjithë e kuptojnë se duhet të ndalojmë falsifikimet e thella, por ne do të duhet ta bëjmë këtë shpejt dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse. OpenAI, sapo njoftoi se mund të klonojë zërin e kujtdo duke përdorur 15 sekonda nga një regjistrim i zërit të tyre. Ajo po e ndalon vullnetarisht këtë teknologji.

Por sa kohë do të kalojë para se shumë kompani të tjera të zhvillojnë një platformë të ngjashme? Qeveria britanike ka kërkuar me të drejtë një bashkëpunim global për AI përmes Institutit të saj të Sigurisë. Por sa e mundshme është që format e fuqishme të AI të mos përvetësohen nga krimi i organizuar dhe shtetet diktatoriale?

Për të gjitha këto çështje, shumica e qeverive dhe kompanive po përpiqen të veprojnë me përgjegjësi. Megjithatë, ashtu si me mediat sociale, shpejtësia dhe ashpërsia e problemeve në zhvillim nënvlerësohen seriozisht. Një shembull të qartë na e jep Bioteknologjia. Përparimet në redaktimin e gjeneve, sintezën e ADN-së dhe analizën e të dhënave shëndetësore të fuqizuara nga AI, po sjellin përparime të jashtëzakonshme në zbulimin dhe trajtimin e sëmundjeve. Por është gjithashtu e mundur që një njohuri e tillë të përdoret për të rikrijuar viruse të zhdukur apo për të krijuar patogjenë krejtësisht të rinj.

Kompanitë që ndërmarrin aktivitete të tilla, respektojnë aktualisht një kod vullnetar. Por brenda pak vitesh, pritet që makineritë e sintezës së ADN-së t’i mundësojnë kujtdo të krijojë një shumëllojshmëri të gjerë gjenomesh virale kudo, madje edhe në bodrumin e shtëpisë së tij.

A nuk do të ishte një ide e mirë që ky problem të nisë të trajtohet që tani, ndoshta me kërkesat e licencimit për makineri të tilla? A nuk duhet të sigurohemi që revistat shkencore të ndalojnë publikimin e informacionit mbi viruset, që mund të përdoren nga një terrorist i ardhshëm?

Ne duhet të gjejmë paraprakisht, rrugën e duhur për të shmangur zgjedhjen e tmerrshme me të cilën u përballën qeveritë në pandeminë Covid-19, pra midis rrezikut të madh për shëndetin publik ose pezullimin e lirive të zakonshme.

Zbulimi i krizave të tilla në të ardhmen dhe veprimi për t’i parandaluar ato shumë kohë përpara se shumica e njerëzve të ndjehen të alarmuar, është një sfidë qendrore e dekadës së ardhshme. Nëse jemi shumë të rreptë, të tjerët do të zhvillojnë teknologjitë e së ardhmes. Megjithatë, nëse jemi shumë vonë, atëherë anarkia do të jetë shumë pranë. Ajo që kemi lejuar t’i ndodhë një brezi në rrjetet sociale është një tragjedi. Nuk duhet ta harrojmë mësimin që na jep ajo për të ardhmen.

Burimi: The Times/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë