Gazeta Si- Rusia mund të jetë pas të ashtuquajturës “sindroma e Havanës”, çrregullimi misterioz i raportuar për herë të parë në vitin 2016 nga stafi i ambasadës amerikane në kryeqytetin e Kubës, e cila ndër të tjera shkakton marramendje, dhimbje koke, dëmtim të dëgjimit dhe humbje të kujtesës.
Kjo u zbulua nga hetimi i përbashkët i kryer nga “The Insider”, “60 Minutes”, një program i njohur televiziv në rrjetin CBS dhe gazeta gjermane “Der Spiegel”.
Hetimi, i cili mblodhi dhjetëra dëshmi, zbuloi prova që sugjerojnë se “incidentet anormale mjekësore” mund ta kenë origjinën në përdorimin e armëve energjetike të përdorura nga anëtarët e njësisë ruse “GRU 29155”.
“Anëtarët e ekipit famëkeq të sabotimit të inteligjencës ushtarake të Kremlinit u vendosën në skenën e sulmeve të dyshuara kundër personelit të qeverisë amerikane jashtë vendit dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, shkruan “The Insider”.
Hetimi përfshin prova se anëtarët e lartë të njësisë, morën çmime dhe promovime për punën në zhvillimin e “armëve akustike jo-vdekjeprurëse”, një term i përdorur në literaturën e shkencës ushtarake ruse për të përshkruar frekuencën e zërit dhe radios, bazuar në pajisjet e energjisë direkte.
Këta dhe agjentë të tjerë të caktuar në “Njësinë 29155”, duke udhëtuar në fshehtësi, do të vendoseshin më pas në vende në mbarë botën pak para ose në kohën e raportimit të incidenteve anormale shëndetësore.
Për sajtin “60 Minutes” ka folur ndër të tjera, Greg Edgreen, një nënkolonel tashmë në pension i ushtrisë, i cili drejtoi hetimin e Pentagonit për këtë sindromë.
“Fatkeqësisht nuk mund të hyj në detaje, – tha Edgreen, – por mund t’ju them se që në fillim fillova të fokusohesha te Moska”.
Një raport i qeverisë i vitit 2023 e gjeti “shumë të pamundur” që një kundërshtar i huaj të ishte pas lëndimeve misterioze të trurit të pësuar nga zyrtarët e sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Megjithatë, më shumë se 100 amerikanë kanë simptoma që shkencëtarët thonë se mund të shkaktohen nga ultratingulli akustik.
Midis viktimave ishin stafi i Shtëpisë së Bardhë, oficerë të CIA-s dhe agjentë të FBI-së.
Edgreen shpjegoi se agjentët e synuar ishin ata me performancën më të mirë. “Dhe ka pasur vazhdimisht një lidhje me Rusinë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




