Gazeta Si- Ushtria izraelite u tërhoq nga spitali më i madh i Gazës Al Shifa herët të hënën pas një bastisjeje dy-javore, duke lënë pas disa trupa dhe një shkatërrim të madh, sipas banorëve palestinezë.
Ushtria e ka përshkruar bastisjen në spitalin Al Shifa si një nga operacionet më të suksesshme të luftës gati gjashtëmujore.
Ata thanë se kanë vrarë shumë pjesëtarë të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe militantë të tjerë, duke përfshirë operativë të lartë.
Ushtria tha se sekuestroi armë dhe inteligjencë të vlefshme si dhe konfirmoi se forcat ishin tërhequr të hënën.
Agjencia shëndetësore e OKB-së tha se disa pacientë vdiqën dhe dhjetëra u rrezikuan gjatë bastisjes, gjë që solli edhe më shumë shkatërrim në një spital që tashmë kishte pushuar së funksionuari. Ditët e luftimeve të ashpra treguan se Hamasi ende mund të bëjë rezistencë edhe në një nga zonat më të goditura të Gazës.
Mohammed Mahdi, i cili ishte në mesin e qindra palestinezëve që u kthyen në zonë, përshkroi një skenë të “shkatërrimit total”. Ai tha se disa ndërtesa ishin djegur dhe se ai kishte numëruar gjashtë trupa në zonë, duke përfshirë dy në oborrin e spitalit.
Pamjet që qarkullonin në internet tregonin ndërtesa të dëmtuara dhe të djegura rëndë, tufa dheu që ishin grumbulluar nga buldozerët dhe pacientë në barela në korridoret e errësuara.
Një tjetër banor, Yahia Abu Auf, tha se kishte ende pacientë, punonjës mjekësorë dhe njerëz të zhvendosur që strehoheshin brenda kompleksit mjekësor pasi disa pacientë ishin dërguar në Spitalin Ahli aty pranë. Ai tha se buldozerët e ushtrisë kishin lëruar mbi një varrezë të improvizuar në oborrin e Shifas.
“Situata është e papërshkrueshme,” tha ai. “Okupimi shkatërroi të gjithë ndjenjën e jetës këtu.”
Izraeli ka akuzuar Hamasin për përdorimin e spitaleve për qëllime ushtarake dhe ka bastisur disa objekte mjekësore. Ai thotë se nisi bastisjen në Shifa pasi Hamasi dhe militantët e tjerë ishin rigrupuar atje.
Zyrtarët shëndetësorë në Gaza i mohojnë këto akuza. Kritikët akuzojnë ushtrinë për rrezikimin e pamatur të civilëve dhe për shkatërrimin e një sektori shëndetësor tashmë të mbingarkuar me të plagosur nga lufta. Palestinezët thonë se trupat izraelite evakuuan me forcë shtëpitë pranë spitalit Shifa në qendër të qytetit të Gazës dhe detyruan qindra banorë të marshonin në jug.
Të paktën 21 pacientë kanë vdekur që nga fillimi i bastisjes, postoi Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus të dielën vonë në X, dikur Twitter.
Ai tha se mbi njëqind pacientë ishin ende brenda kompleksit, duke përfshirë katër fëmijë dhe 28 pacientë në gjendje kritike. Ai tha gjithashtu se nuk kishte pelena, qese me urinë apo ujë për të pastruar plagët dhe se shumë pacientë vuanin nga plagë të infektuara dhe dehidratim.
Ushtria kishte bastisur më parë Shifan, spitalin më të madh të Gazës, në nëntor, pasi tha se Hamasi mbante një qendër komandimi dhe kontrolli brenda dhe poshtë kompleksit./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




