Futboll

Lacio mund Juventusin në shtesë, Tudor e nis me fitore. Hysaj ‘spektator’ nga stoli

Gazeta Si – Lacio ka mundur sot Juventusin në ‘Olimpico’, falë një goli me kokë të Marushiç në kohën shtesë. Skuadra e Alegrit nuk fiton prej katër ndeshjesh në kampionat dhe mban vendin e 3-të, me 59 pikë, kurse Lacio ndodhet në vend të 7-të.

Aventura e Igor Tudor në krye të Lacios ka nisur në mënyrën më të mirë. Trajneri kroat ka mundur ish-skuadrën e tij në ndeshjen e javës së 30-të të Serisë A. Me këtë trepikësh Lacio fiton terren në klasifikim dhe certifikon momentin e komplikuar të Juventusit.

Gjatë pjesës së parë Kastelanos shpërdoroi disa mundësi të mira, ndërsa Shezni ndali Felipe Anderson. Mandas në anën tjetër arriti të bllokonte dy konkluzione të Kiezës. Në pjesën e dytë, pas shumë minutash ekuilibër, Marushiç gjeti golin e fitores në shtesë. Ai devijoi saktë me kokë një top të Guendouzi.

Elseid Hysaj qëndroi gjithë kohën në stol në këtë ndeshje. Trajneri i ri, Igor Tudor, aplikon mbrojtjen me 3 lojtarë, ku nuk ka vend për futbollistin kuqezi dhe ky është një tjetër lajm i keq për Silvinjon, pas asaj që po ndodh me Brojën në Angli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë