Gazeta Si- Bosi i klanit Casalesi të Kamorrës në Napoli, Francesco Schiavone, 70 vjeç, i njohur si “Sandokan” për ngjashmërinë e tij të paqartë me versionin televiziv të piratit të krijuar nga Emilio Salgari, po bashkëpunon me drejtësinë italiane.
Lajmi që qarkullonte prej disa ditësh në provincën e Caserta-s, u konfirmua sot. Megjithatë, familjarët janë distancuar nga vendimi i tij dhe nuk i janë bashkuar programit të mbrojtjes të parashikuar për të afërmit e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Schiavone është mbajtur në burg për kryerjen e krimeve të rënda për 26 vjet. Ditët e fundit bosi, i cili thuhet se kishte një tumor, ishte transferuar nga burgu i Parmës në atë të L’Aquila për të pasur mundësinë e trajtimit në spitalin e San Salvatore: ashtu siç ndodhi me bosin mafioz Matteo Messina Denaro, i cili vdiq në kryeqendrën e Abruzzo-s në shtatorin e kaluar. Në vitin 2018 ishte djali i tij Nikola, i pari në familje që shpalli pendesën dhe bashkëpunoi me drejtësinë.

Në vitin 2021 edhe djali i dytë i familjes, Walter, vendosi të bashkëpunonte. Dy djemtë e tjerë të tij, Emanuele Libero, i cili do të lirohet nga qelia gushtin e ardhshëm dhe Carmine mbeten në burg.
Ditët e fundit policia shkoi në Casal di Principe për t’u propozuar të afërmve të liderit të klanit, përfshirë djalin e tij Ivanhoe, të hynin në programin e mbrojtjes nga shteti, duke konfirmuar gatishmërinë e “Sandokan” për të bashkëpunuar me prokurorët nga Napoli.
Vendimi i Francesco Schiavone mund të jetë një mesazh i synuar për botën e jashtme, duke hequr dorë nga riorganizmi i klanit të tij mafioz dhe vendosur një gur varri mbi aspiratat e pasardhësve të tjerë të mundshëm.

Bashkëpunimi i Francesco Schiavone me drejtësinë është shpresa e gjyqtarëve për të hedhur dritë mbi disa mistere të pazgjidhura, si vrasja në Brazil në vitin 1988 e themeluesit të klanit Antonio Bardellino, ose mbi lidhjet mes Camorra-s dhe politikës në Itali.
Herën e fundit që bosi u arrestua në korrik 1998 në një bunker në Casal di Principe, ku kishte gjetur strehë me gruan dhe dy vajzat e tij të vogla, të dyja të ngjizura ndërsa ishte në arrati. Për 26 vjet ka vuajtur dënimet në regjimin e ashpër “41 Biss”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




