Bota

Papa Françesku thyen traditën në ritualin vjetor duke u larë këmbët grave të burgosura

Papa Françesku ka larë të enjten këmbët e 12 grave në një burg në Romë gjatë një ceremonie ku theksohej përulësia. Është hera e parë që Papa u lanë këmbët grave vetëm gjatë shërbimit të posaçëm vjetor.

Papa 87-vjeçar, i cili ka pasur probleme shëndetësore kohët e fundit, drejtoi ceremoninë në burgun Rebibbia në Romë, duke larë këmbët e secilës prej grave nga karrigia e tij me rrota.

Rituali i larjes së këmbëve zhvillohet të enjten para Pashkëve dhe synon të imitojë larjen e këmbëve të dishepujve të tij nga Jezu Krishti një natë para se të vdiste.

Që nga zgjedhja e tij si Papë, ai e ka nxjerrë këtë ceremoni jashtë territorit të Vatikanit dhe e ka festuar duke u larë këmbët të burgosurve, refugjatëve dhe invalidëve.

Gjatë viteve, Françesku ka larë këmbët e grave dhe myslimanëve. Megjithatë, Michael Walsh, një historian i kishës, dhe At Anthony Ruff, ekspert liturgjik, të dy i thanë CNN se besojnë se kjo është hera e parë që një Papë u lanë këmbët grave ekskluzivisht gjatë ceremonisë.

Nadia Fontana, drejtoresha e burgut në Romë ku ndodhi ngjarja, tha se ishte hera e parë që një Papë hynte në objektin e tyre, ku ajo tha se mbante 360 të burgosura dhe një fëmijë.

Në vitet e para të drejtimit të tij, Papa ndryshoi rregullat e kishës për të përfshirë zyrtarisht gratë në ceremoni, një lëvizje që hasi në rezistencë në Vatikan.

Paraardhësi i tij, Benedikti XVI, lau vetëm këmbët e burrave dhe më vonë kaloi në larjen e këmbëve vetëm të priftërinjve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë