Gazeta Si- Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lirojë nga burgu sipërmarrësin Leonard Gjini, i cili u arrestua pas shpërthimit në një kapanon në Lushnjë, si pasojë e të cilit humbën jetën babë e bir.
Sipas Gjykatës, arrestimi i këtij të fundit është i paligjshëm. Ndërkohë është lënë në fuqi pezullimi nga detyra për 5 zyrtarët e bashkisë dhe IMT-së.
“Vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të personit nën hetim Leonard Gjini, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” parashikuar nga neni 289/2 të Kodit Penal. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim Leonard Gjini, nga ambientet e paraburgimit nëse nuk mbahet apo nëse nuk duhet të mbahet i arrestuar, i ndaluar apo i dënuar për ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në vendimin e SPAK.
Sa i takon deputetit socialist Bujar Çela, i cili kishte në pronësi kapanonin dhe mbeti i plagosur, prokuroria është ende duke kryer veprime hetimore dhe nuk ka dalë në një konkluzion.
Nën akuzë pas ngjarjes u vunë dhe 5 zyrtarë, 4 prej të cilëve punonjës të bashkisë ndërsa 1 tjetër i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Lushnjë.
Ndaj tyre Gjykata e Fierit kishte vendosur masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimin nga detyra, masa të cilat u lanë në fuqi edhe nga Gjykata e Posaçme.
Çështja i kaloi SPAK me vendim të Prokurorisë së Fierit, e cila moskompetencë për këtë çështje, duke qenë se mes të akuzuarve për këtë ngjarje është dhe deputeti socialist, Bujar Çela.
Nga shpërthimi i fortë humbën jetën dy persona, babë e bir dhe 7 të tjerë u plagosen, mes të cilëve edhe deputeti socialist Bujar Çela.
Sakaq 5 punonjësit e tjerë akuzohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.