Drejtësia

Hetimi paraprak: Shpërthimi në Lushnjë mund të jetë shkaktuar nga saldimi i një prej bombolave (deputeti Bujar Çela devijoi nga leja)

Gazeta Si - Në Lushnjë policia ka përfunduar verifikimet paraprake dhe referuan dosjen në Prokurorinë e Fierit për shpërthimin në një biznes që i mori jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë.

Në institucionin e akuzës janë dërguar zyrtarisht tre vepra penale, që janë ndërtim i paligjshëm pasi objekti është devijuar nga leja, shkatërrim i pronës nga pakujdesia dhe shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë. Për zbardhjen e shkaqeve që çuan në shpërthimin e fuqishëm, janë marrë në pyetje disa prej të plagosurve të cilët morën mjekim në spitalin e Lushnjës.

Ndërsa deputeti Bujar Çela, Saimir Korreshi dhe Sokol Lumi nuk janë pyetur ende për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore të rënduar.

Deputeti Bujar Çela pritet të japë shpjegime për lejen e ndërtimit të marrë nga Bashkia e Lushnjës në shtator të vitit të shkuar, kriteret e zbatimit të saj dhe kushtet e sigurimit teknik.

Deri më tani hetuesit i qëndrojnë pistës se shpërthimi ka ndodhur nga plasja e njërës prej bombolave të mbushur me oksigjen si pasojë e nxehtësisë së shkaktuar prej saldimit dhe jo nga kontakti me kabllot e tensionit të lartë.

Në spital vijon të qëndrojë Sokol Lumi, i cili nuk ka dalë nga gjendja e komës.

Ai ishte klient i rastësishëm në pikën e produkteve ushqimore me shumicë, kur u godit në kokë nga një hekur.

Ndërsa i plagosuri tjetër Saimir Korreshi ishte në biznesin e tij kur u plagos, që ndodhet pranë kapanonit ku ndodhi shpërthimi.

Si pasojë e shpërthimit humbën jetën dy persona,Roland Hoxha dhe djali i tij Elidon Hoxha. Roland Hoxha, Landi Verçani (ka ndërruar identitetin për shkak të dokumentacionit), humbi jetën në vendngjarje, ndërsa djali i tij Elidoni ka ndërruar jetë ndërsa po transportohej drejt spitalit të Traumës në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë