Futboll

Dështimi i Interit në Champions, një shuplakë e fortë për futbollin italian

Gazeta Si – Simone Inzagi do të vendosë yllin e dytë në fanellën e Interit, por në një sezon të paplotësuar. Nga tre klubet në çerekfinalet e Championsit një vit më parë, në 0 këtë vit. Një shkërmoqje totale.

Zhgënjimi është shumë i madh. E kotë të mohohet, e kotë të gjesh justifikime: eliminimi i Interit nga Championsi është një shuplakë e fortë për klubin zikaltër dhe futbollin italian. Një vit më parë me 3 skuadra mes 8 më të mirave të Europës, tani asnjë. Gjithçka është përmbysur dhe është sfumuar ideja se Italia ishte rikthyer.

Që formacioni më i mirë në Itali, – ai që po dominon kampionatin dhe sezonin e shkuar kishte shkuar në finale të Championsit, – do të eliminohej nga Atletiko Madrid (nga ky Atletiko), nuk mendohej. Është e vërtetë, janë Simeone dhe një stadium i nxehtë, si dhe një Grizman që u duk i rilindur, por Interi këtë sezon ka qenë një tjetër skuadër, gati e pathyeshme.

Nuk mund të thuhet se ‘Cholo’ kaloi duke luajtur ‘pisët’, siç ka ndodhur shpesh në 13 vitet që ai drejton Atletikon. Spanjollët luajtën edhe me kualitet dhe nxorën jashtë kompeticionit skuadrën më të mirë italiane.

Tani Italia duhet të shpresojë te kompeticionet më pak prestigjioze të Europës. Në garë janë ende Milani, Roma dhe Atalanta në Ligën e Europës, si dhe Fiorentina në Ligën e Konferencës. U takon atyre që të nderojnë Italinë dhe të gëzojnë tifozët e klubeve të tyre. Duhen rezultate dhe pikë që mund të çojnë në përfaqësimin me 5 skuadra në Championsin e ardhshëm të zgjeruar.

Roma e ka fituar 4-0 ndeshjen e parë, një avantazh i madh ndaj Brajtonit. Fiorentina ka fituar 4-3 në fushë asnjanëse kundër Makabi Haifa dhe shanset e kualifikimit janë të mëdha. Milani mundi 4-2 Sllavian Pragës. Atalanta e Berat Gjimshitit ka detyrën më të vështirë, sepse është e vetmja që nuk e ka fituar ndeshjen e parë (1-1), por edhe ngaqë kundërshtari, Sportingu i Lisbonës, është i fortë.

Nëse këto 4 skuadra kualifikohen, nuk e heqin hidhërimin e eliminimit të Interit. Shorti i çerekfinaleve të Championsit, që hidhet të premten, në Itali do të ndiqet me shumë siklet, por nëse kalojnë 4 skuadra e kupave të tjera, do të ishte një ngushëllim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë