Futboll

Eliminim dramatik për Interin, Atletiko e nxjerr nga Championsi me penallti

Gazeta Si – Interi jashtë Championsit. Eliminim dramatik për skuadrën italiane, që konsiderohej favorite për t’i shkuar deri në fund kompeticionit. Zikaltrit humbën 2-1 në fushën e Atletiko Madrid dhe te penalltitë gabuan gjithçka.

Interi kaloi në avantazh i pari me Dimarkon, pas një aksioni të shpejtë, por vetëm pas dy minuatsh Grizman ktheu baraspeshën. Në pjesën e dytë, Memfis Depai, pak pasi ishte hedhur në fushë nga trajneri Simeone, gjeti golin e fitores për Atletikon.

Kualifikimi shkoi në shtesë, pasi ndeshja e parë kishte përfunduar 1-0, por as 30 minuta të tjera lojë nuk ndryshuan gjë. Nga pika e bardhë e penalltive lojtarët e Interit nuk u treguan aspak të saktë dhe në çerekfinale ka shkuar Atletiko Madrid.

Ishin penallti makthi për ekipin e Inzagit, me 3 goditje të pasakta, fillimisht nga Aleksis Sançez dhe më pas nga Klasen dhe kapiteni Lautaro Martinez. Vetëm Çalhanoglu shënoi me penallti për Interin. Spanjollët gabuan vetëm një penallti me Saul Nigeuz, kurse për penalltinë e fundit nuk ishte nevoja të gjuhej. “Heroi” ishte portieri Oblak, i cili priti dy penallti, ndërsa Martinez gjuajti shumë keq.

Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares shqiptare, edhe pse është në një formë shumë të mirë, nuk u aktivizua asnjë minutë në këtë ndeshje.

Në ndeshjen tjetër të luajtur sot u kualifikua Borusia Dortmund, që mundi 2-0 PSV-në. Ndeshja e parë ishte mbyllur në barazim 1-1. Tetë skuadrat çerekfinaliste të Championsit janë: Bajern Mynih, Real Madrid, Mançester Siti, PSG, Arsenal, Barcelona, Atletiko Madrid dhe Borusia Dortmund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë