Gazeta Si – Pas dy ndeshjeve që luhen sot në mbrëmje do të plotësohet edhe 8-shja çerekfinaliste e Championsit. Do përcaktohen edhe dy skuadrat, që do t’u bashkohen PSG-së, Bajernit, Realit, Mançester Sitit, Barcelonës dhe Arsenalit.

Interi luan në fushën e Atletiko Madrid, një kundërshtar shumë i sertë, edhe pse jo në nivelin e viteve të fundit. Trajneri Inzagi ka theksuar para kësaj sfide se nuk do të spekulohet me rezultatin e ndeshjes së parë, ku të tijtë fituan 1-0.
Do të jetë një test shumë i rëndësishëm për Interin, që pasi ka pothuajse të sigurt titullin kampion në Serinë A, synon që të bëjë ‘bis’ me trofeun e Championsit. Sezonin e kaluar zikaltrit u ndalën në finale nga Mançester Siti, këtë sezon duken më të fortë, por ndeshja e sotme me Atletikon nuk është aspak e lehtë.

Arnautoviç, Karlos Augusto dhe Kuadrado janë mungesat e Interit. Kristjan Asllani e nis ndeshjen e sotme nga stoli, me shpresën për të pasur disa minuta në pjesën e dytë.
Në Gjermani luhet ndeshja mes Borusia Dortmundit dhe PSV-së, ku gjithçka është e hapur. Ndeshja e parë në Holandë përfundoi në barazim, 1-1. Borusia niset si favorite e lehtë, për shkak se luan në fushën e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




