Gazeta Si – Dy mbrojtësit titullarë të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti dhe Ardian Ismajli, kishin ndeshje të rëndësishme sot në kampionatin italian. Kapiteni kuqezi, që tashmë mban shiritin në krah edhe tek Atalanta, ishte protagonist në barazimin 2-2 ndaj Juventusit në Torino.

Gjimshiti dha pasimin për golin e dytë të skuadrës së tij, që arriti të marrë një pikë të çmuar në këtë transfertë. Atalanta kryesonte 0-1, pas golit të Kupminiers, më pas Juventusi e përmbysi ndeshjen me golat e Kambiasos dhe Milik, por Gjimshiti me shokë nuk u dorëzuan dhe barazuan.
Juventusi ka humbur vendin e dytë pas këtij barazimi, pasi është parakaluar nga Milani, që mundi 1-0 Empolin dhe shkoi në kuotën e 57 pikëve, 1 më pak se skuadra e Alegrit.

Pikërisht në ndeshjen me Milanin, që e nisi titullar, Ismajli ka pësuar një dëmtim në pjesën e parë dhe u detyrua të linte fushën. Mbetet për t’u parë tani se në çfarë shkalle është dëmtimi, me shpresën që të mos ketë asgjë serioze për mbrojtësin e Kombëtares.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




