Gazeta Si – Partizani ka shfryrë gjithë inatin e eliminimit në Kupën e Shqipërisë në ndeshjen e sotme me Erzenin. Kampionët në fuqi kanë mundur thellë shijakasit, 0-4, në një ndeshje të luajtur në stadiumin e Rrogozhinës.
Skuadra e trajnerit Orges Shehi e zgjidhi shpejt ndeshjen, duke kryesuar 0-2 pas gjysmë ore lojë. Tedi Cara shënoi fillimisht me penallti dhe me pas dyfishoi Mba.

Në pjesën e dytë, Partizani realizoi edhe dy gola të tjerë, edhe pse kishte mbetur me 10 lojtarë, pas daljes me karton të kuq të Prekës. Me këtë trepikësh, kryeqytetasit bashkohen me Vllazninë në kuotën e 46 pikëve, duke qëndruar momentalisht para shkodranëve, që të hënën luajnë me Skënderbeun në Korçë.
Ishte reagimi i duhur për Partizanin, pas atij eliminimi të papritur nga Kukësi në Kupën e Shqipërisë. Të kuqtë do të luajnë shanset e tyre në fazën e katërt të kampionatit për t’i marrë Egnatias vendin e parë. Në këtë garë është edhe Vllaznia.

Tirana barazoi 1-1 me Egnatian në ‘Elbasan Arena’. Rrogozhinasit ishin afër fitores, pasi kryesonin 0-1 deri në minutën e 5-të shtesë, kur Tirana fitoi një penallti, që u kthye në gol nga Abazaj. Të dyja skuadrat nuk fitojnë prej shumë javësh në kampionat. Nëse Vllaznia fiton të hënën në Korçë, i afrohet 2 pikë Egnatias kryesuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




