Gazeta Si - Nën masa të rrepta sigurie nga dhjetëra forca speciale të RENEA-s, është ekstraduar nga Kosova Gëzim Çela, i njohur si “baroni i drogës”. Ai akuzohet si kreu i një organizate kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike, nga Shqipëria në Europë.
Gëzim Çela, u arrestua më 9 dhjetor 2023 në Ferizaj të Kosovës. Ai ishte shpallur në kërkim pasi iu godit grupi teksa shkëmbente kokainë me heroinë në det në gusht 2023.
Ministria e Drejtësisë njoftoi më 27 shkurt ekstradimin nga Kosova drejt Shqipërisë të Çelës, 56 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal.
Ekstradimi i tij u realizua në një vendimmarje të 11 janarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj të Kosovës, për lejimin e ekstradimit të thjeshtuar të këtij shtetasi, për shkak se kishte dhënë pëlqimin për t`u ekstraduar drejt Shqipërisë.
Agjentë të Policisë së Shtetit kanë pritur dhe shoqërua Çelën në pikën e kalimit kufitar të Morinit në Kukës, ku u dorëzua nga pala kosovare.
“Baroni i drogës” u vu në pranga në muajin dhjetor të vitit të shkuar në Kosovë, ku kishte gjetur strehim, ndërkohë që në Shqipëri u shpall në kërkim në gusht të vitit të shkuar, pasi nuk mundi të vihej dot në pranga gjatë operacionit “Flakë në det”.
Policia zbuloi se Gëzim Çela dhe grupi i tij i ndihmuar nga shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, trafikonte kanabis nga zona e Fushë Kuqes drejt detit Adriatik, ku në një Velierë e shkëmbente kanabisin me kokainë.
Emri i Gëzim Çelës është ndër të parët e përmendur si trafikant droge në Shqipëri, pasi këtë aktivitet e ka nisur që në vitet 90.
Dikur ish punonjës policie, ai u shndërrua në kontaktin kryesor të shpërndarjes së heroinës në vend si dhe autor i kalimit të dhjetëra kilogramëve kokainë në Kosovë.
I konsideruar si një prej kokave më të mëdha të trafikut të kokainës dhe heroinës, ai dyshohet se përdorte vilën e tij në Fushë Kuqe, ku policia i gjeti 18 kilogramë kokainë disa vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.