Futboll

Bajerni në emergjencë para Championsit, Hysaj projektohet titullar në Mynih

Gazeta Si – Bajern Mynih dhe Lacio luajnë të martën në mbrëmje aktin e kthimit për 1/8-at e Championsit. Lacio ka fituar 1-0 ndeshjen e parë dhe mund të përfitojë nga kriza dhe emergjenca e bavarezëve.

Lojtarë si Koman, Upamekano dhe Mazraui nuk janë të gatshëm për këtë ndeshje, ndërkohë që në pikëpyetje edhe emra të tjerë të rëndësishëm, si Gnabri e Sane. Një situatë kjo që e bën më të vështirë misionin e përmbysjes për gjermanët, të cilët thuajse e kanë humbur titullin në kampionat dhe nëse dalin që tani edhe nga Championsi, do të ishte një dështim total.

Lacio shpreson në anën tjetër. Në formacionin e Mauricio Sarrit për sfidën e Mynihut është përfshirë edhe mbrojtësit kuqezi, Elseid Hysaj. Futbollisti shkodran pritet të zërë vend në krahun e majtë të mbrojtës së Lacios, pasi skuadra ka nevojë për të në atë pozicion.

Hysaj ishte titullar edhe në ndeshjen e parë në Romë ndaj Bajernit, madje bëri një paraqitje shumë të mirë deri në momentin që pësoi një dëmtim në pjesë e dytë dhe u zëvendësua. Në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Milanit, ku vëmendjen e mori gjykimi, mbrojtësi i krahut u aktivizua si zëvendësues.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë