Gazeta Si – Ky sezon, kur ka mbetur edhe një fazë tjetër për t’u luajtur, mund të shënojë ndonjë rekord për lëvizjet e shumta të trajnerëve. Ka skuadra që tashmë drejtohen nga trajneri i katërt sezonal, siç është rasti i Laçit.
Kurbinasit janë ndarë edhe me Mirel Josën, që i drejtonte ata pas Stavri Nicës dhe Skerdi Bejzades. Tani drejtimin e skuadrës e ka marrë shkodrani Armando Cungu, i cili ka qenë edhe më parë trajner i Laçit. Ky ekip ishte afër zonës së ‘Final 4’, por me humbjen 0-1 ndaj Skënderbeut në shtëpi më shumë duhet të luftojë për mbijetesë se për katet e sipërme të tabelës.

Laçi dhe Kukësi janë dy klubet që nuk kanë gjetur qetësi sa u takon trajnerëve këtë sezon. Edhe në këtë moment Kukësi, që mban vendin e fundit, e ka në diskutim trajnerin Bledar Devolli, që ka regjistruar vetëm humbje në krye të veriorëve, ashtu si dhe paraardhësi i tij Emiljano Çela.
Erzeni është një tjetër stol ’i minuar’ i nivelit elitar të futbollit shqiptar. Skerdi Bejzade pak javë më parë mori vendin e Alfred Deliallisit, që kaloi në postin e drejtorit teknik, por edhe me kryeqytetasin situata nuk ka ndryshuar. Shijakasit kanë zbritur në vend të parafundit dhe rrezikojnë seriozisht rënien nga kategoria.
Në krizë mbetet edhe Tirana, që me trajnerin e ri Erbin Fagu, i treti për këtë sezon pas Orges Shehit dhe Julian Ahmatajt, nuk po arrin të fitojë dhe ka dalë jashtë 4-shes së parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




