Futboll

Napoli ndez stadiumin ‘Maradona’, hedh në tapet Juventusin dy minuta para fundit

Gazeta Si – Kieza i përgjigjet Kvaratskhelias, por ndeshja vendoset nga një tap-in i Raspadorit pas penalltisë të pritur fillimisht nga Shezni ndaj Osimhen.

Napoli ka mundur 2-1 Juventusin në ndeshjen e fundit të javës së 27-të të Serisë A. Skuadra e drejtuar nga trajneri Kalcona merr kështu fitoren e dytë radhazi, duke shkurtuar në -3 pikë diferencën nga vendi i 6-të, që mbahet nga Atalanta.

Ai që ndriçoi stadiumin “Maradona” ishte Kvaratskhelia, që zhbllokoi rezultatin në minutën e 42-të me një të djathtë fluturimthi. Juventusi, pavarësisht emergjencës, bëri një ndeshje kurajoze dhe ia doli të barazonte 9 minuta para fundit me Kiezën.

Por bardhezinjtë e Alegrit janë mposhtur në fund. Napoli fitoi një penallti dhe gjuajtja e Osimhen u ndal nga Shezni, megjithatë aty përfitoi Raspadori që e çoi topin në rrjetë, duke vendosur takimin. Për Juventusin është humbja e tretë në pesë ndeshjet e fundit dhe tashmë kërcënimi i Milanit është real, vetëm një pikë pas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë