Analize

Lufta e Putinit është ideologjike, nëse e ndërpret do të përballet me probleme serioze

Nga Nadia Ferrigo-Me 16.587 masa, Rusia është sot vendi më i sanksionuar në botë. Por 2 vjet pas pushtimit të Ukrainës, ato nuk janë ende të mjaftueshme për ta ndalur makinerinë ruse të luftës. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas mbylljes së vitit të kaluar me një rritje prej 3 për qind, këtë vit, PBB-ja ruse pritet të ketë një rritje të mëtejshme prej 2.6 për qind.

Nathalie Tocci, politologe dhe drejtoreshë e Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare të Romës, thotë se për Putinin, lufta në Ukrainë nuk ka të bëjë me rrëzimin nga pushteti të atyre që i quan si neo-nazistë. Ajo është shndërruar në një “luftë të madhe patriotike”. 

A funksionojnë apo jo sanksionet ndaj Rusisë?

Së pari, duhet të pyesim veten se cili është objektivi i këtyre sanksioneve. Nëse synimi është të ndryshojë mendjen e Putinit për luftën që ka nisur, atëherë përgjigja është: “Jo, ato nuk funksionojnë dhe në realitet dhe nuk mund ta bëjnë këtë”.

Më lejoni të shpjegohem. Sanksionet synojnë që t’i shkaktojnë dëme ekonomike Rusisë. Por Putin e nisi dhe po e vazhdon këtë luftë me një bindje ideologjike, të cilën ai s’mund ta ndryshojë edhe përballë një kostoje ekonomike pak a shumë të lartë. E tija është një kryqëzatë, që nuk bën ndonjë dallim. Megjithatë, përgjigja ndryshon nëse objektivi është të zvogëlohen aftësitë ekonomike dhe ushtarake të Rusisë, në mënyrë që lufta të mos zhvillohet edhe nëse ekziston vullneti për të.

Dy vjet më vonë, a jemi ende larg qëllimit për ta varfëruar gjigantin rus e për ta detyruar atë të ulë armët?

Ne e dimë që Rusia ka krijuar një ekonomi lufte. Edhe nëse pakësohen burimet e saj, ato do të mbeten të përqendruara në prodhimin në funksion të luftës. Rusët prodhojnë 2.5 milionë fishekë në vit, që është dyfishi, në mos 3-fishi, i asaj që arrin të prodhojë Evropa.

Sanksionet nuk kanë funksionuar sepse ekzistojnë shumë mënyra për t’u kapërcyer ato. Kjo edhe falë rolit të shteteve të treta, dhe sepse jo gjithçka është e sanksionuar. Për shembull nuk ka pasur një bllokim të tregtisë. Por mbetet çështja tjetër:edhe sikur të kishim sanksionuar gjithçka, përfshirë edhe mënyrat e anashkalimit, është e pamundur ta ndalosh një vend si Rusia brenda 2 vjetësh. Dhe këtë ne e dinim këtë që në fillim.

Çfarë doni të thoni, që sanksionet mund të jenë në çdo rast një strategji afatgjatë?

Në rast se qëllimi ynë nuk ishte t’i ndryshojmë mendjen Putinit, por të zvogëlojmë aftësitë e tij luftarake, atëherë do të përballemi me një kontradiktë. Nëse njëra pjesë e strategjisë ishin sanksionet dhe tjetra rritja e aftësive të Ukrainës, duke kuptuar se njëra kërkon kohë më të gjatë, duhet t’i jepet më shumë kohë edhe tjetrës, pa ngurrim dhe pasiguri, dhe jo siç po ndodh së fundmi me SHBA-në me këstin e fundit të ndihmës.

A duhet të shqetësohemi për një industri ruse, e cila po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt prodhimit në funksion të luftës?

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka nga pas një motiv ideologjik, një plan imperialist dhe revizionist, i cili shkon përtej qeverisë së Kievit. Nëse raportet e shërbimeve sekrete gjermane po na thonë se Moska po përgatitet për një luftë kundër NATO-s, ne duhet të shqetësohemi. Narrativa e Putinit, s’ka të bëjë më me dëbimin e neo-nazistëve nga Ukraina, por me një Luftë të re të Madhe Patriotike.

Nëse lufta aktuale do të përfundonte nesër në mëngjes, me sanksionet dhe dëmet ekonomike të shkaktuara, regjimit do t’i duhet një luftë e përhershme për të rezistuar dhe qëndruar në këmbë. Shifrat në rritje të PBB-së ruse, janë fryrë nga zgjerimi i sektorit të mbrojtjes.

Por ato nuk marrin parasysh një fakt tjetër:municionet dhe raketat shkatërrohen në luftë, dhe nuk prodhojnë vlerë apo pasuri. Pra nëse nuk ka luftë, do ketë telashe serioze. Opinioni publik italian, nuk e ka përtypur plotësisht idenë se kontinenti ynë është në luftë, dhe do të qëndrojë në të për sa kohë që Putin të jetë në Kremlin.

Folëm për vendet e treta, a do të arrijmë të “futim xixa” mes Rusisë dhe Kinës?

Jo. Sepse kemi edhe një konflikt në rritje me Kinën, ndaj duhet të pyesim veten se si të mbrohemi, pa shkuar drejt një luftë tregtare. Sot jetojmë në një botë me shumë pole, ku krahas fuqive të mëdha si Kina, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Evropa, ka edhe të tjera që nuk duan të rreshtohen në njërën apo tjetrën anë.

Po flas për Indinë, Brazilin dhe Afrikën e Jugut. Ne duhet të bëhemi shumë më të shkathët në marrëdhëniet me këto vende. Bush thoshte dikur “Ose me ne, ose kundër nesh!”, por ne duhet të mësojmë t’i trajtojmë vendet e treta me një qasje tjetër:me një pragmatizëm më të madh, edhe pse këtu duhet jemi të kujdesshëm që të mos degradojmë në oportunizëm dhe cinizëm. Ne duhet të gjejmë pikën e duhur të ekuilibrit për të shmangur distancimin e tyre nga ne. Por nga ana tjetër nuk mund të lëshojmë ndaj tyre në çdo gjë, duke rrezikuar deri edhe identitetin tonë.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, si BE ashtu edhe G7-a ngrinë rreth 300 miliardë euro asete të Bankës Qendrore Ruse, por ka ende pasiguri nëse dhe si mund të përdoren këto fonde…

Dy të tretat e këtyre fondeve gjenden në BE. Madje shumica mbahet nga banka belge Euroclear. Nga njëra anë, ekziston një nxitje e fortë për të shfrytëzuar të paktën fitimet e tyre. Sepse fondet janë ngrirë, por banka që i mban, i ka investuar dhe ka fituar shumë para. Pra janë të paktën 50 miliardë të tjerë.

Ka nga ata që thonë, me një logjikë të caktuar, se duke pasur parasysh se i gjithë dëmi i shkaktuar nga Rusia në Ukrainë arrin në 500 miliardë euro, është e drejtë të përdoren të paktën interesat për të financuar rindërtimin. Ndërsa ka të tjerë që thonë se ky vendim do të rrezikonte të dëmtonte sistemin bankar evropian, dhe ta bënte më pak të fortë sistemin e euros. Pra ekziston rreziku i përjashtimit, dhe vendet e tjera mund të mendojnë:nëse e bënë këtë me Rusinë, atëherë mund ta bëjnë sërish edhe me ne.

Lufta do të vazhdojë për sa kohë që Putin është në Kremlin. Por a mund të bëjmë parashikime mbi të ardhmen e regjimit të tij?

Jo, kjo është e pamundur. Nga njëra anë mund të thuhet se me riorganizimin e brendshëm, narrativën e Luftës së Madhe Patriotike dhe faktin që Putin arriti të vriste kundërshtarët e tij kryesorë, shpirtziun Prigozhin dhe shpirtbardhin Navalny, qeveria ruse është më e fortë se kurrë.

Por është gjithashtu edhe e kundërta:nëse është i detyruar të vrasë, atëherë del se e ndjen kërcënimin. Është tepër e vështirë të njihet me saktësi stabiliteti i një regjimi. Nëse pushteti është shumë i centralizuar, kush mund të thotë se çfarë ndodh brenda tij? Këtë nuk e dimë as ne dhe as bashkëbiseduesit paktë që kemi në Rusi. Unë nuk do të habitesha nëse Putin rrëzohet që nesër në mëngjes, por edhe nëse do të rezistonte në krye të vendit edhe për 10 vjet të tjera.

Burimi: La Stampa/Përshtati Gazeta Si

Shënim: Nadia Ferrigo është gazetare e La Stampa. Përgjithësisht mbulon lajmet investigative


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë